Janjeva

Qyteti i braktisur– Janjeva, vendi që ruan gjurmët e historisë dhe civilizimit

Qyteti i Janjevës ruan gjurmë të lashta të civilizimit kulturor, objekte të kultit si dhe gjurmë të hershme të xehetarisë. Është shumë e rëndësishme që qytetarët e Kosovës të njihen me zhvillimin e dikurshëm ekonomik të këtij qyteti të lashtë.

Për Janjevën ka shënime që datojnë që nga shekulli XIV, siç ka ashtu edhe për Kishën e Shën Kollit. Udhëpërshkrues të ndryshëm tregojnë se në këtë qytet janë nxjerrë edhe xehe të ndryshme, ari, argjend, etj. E kemi shumë afër dhe shumë larg, njëkohësisht! Janjeva është një qytezë me të kaluar dhe histori të pasur, por tanimë e harruar dhe e braktisur, në një kënd të Kosovës. Është një qytezë karakteristike, shumë e veçantë dhe shumë atraktive, ku prej viteve përballet me varfëri. Një vendbanim etnografik, me rrugë të ngushta e shtëpi të vjetra.

Janjeva ndodhet mes kodrave të larta, në lartësinë rreth 600 metra mbi nivelin e detit, vetëm 12 km nga rruga magjistrale Prishtinë – Ferizaj, 15 km nga qendra komunale.

Mati Bici shkruan se Janjeva kishte popullsi të përzier: 120 familje katolike, 180 myslimane dhe 200 ortodokse, gjithsej 500 familje. Në qytet fliteshin shumë gjuhë: shqip, kroatisht, serbisht e turqisht.

Minierat kanë punuar deri në shek. XVI, kur Janjeva ishte në kulmin e zhvillimit. Këtë zhvillim ia mundësonte edhe pozita e përshtatshme gjeografike. Mirëpo, rezervat e arit dhe të argjendit me kohë shteruan dhe qyteti filloi dalëngadalë të varfërohet e popullsia të zhvendoset.

Janjeva, qytet i vjetër në zemrën e Kosovës, është një arkiv i pasur kulturor i shtrirë përgjatë shekujve, që nga arti i vjetër i argjendarisë e deri te kishat që flasin histori të shekujve XIX dhe XX..

Ministria e Kulturës e Kosovës ka angazhuar një ekip ekspertësh për restaurimin e objekteve në këtë qytet për t’ia kthyer atyre pamjen e dikurshme dhe vlerat historiko-kulturore. Ky projekt, i mbështetur nga qeveria dhe partnerë ndërkombëtarë, pritet të jetë një nga hapat e parë drejt ringjalljes së Janjevës dhe për ta kthyer atë në një destinacion turistik dhe kulturor për vizitorët nga e gjithë bota.

Ministria shpreson se përmes këtyre nismave do të tërheqë vëmendjen e brezave të rinj, gjithashtu edhe të studentëve të historisë dhe trashëgimisë, duke u dhënë mundësinë të njihen dhe të vlerësojnë trashëgiminë e pasur dhe të larmishme kulturore që Janjeva ka.

Restaurimi i Janjevës është më shumë se një projekt restaurimi, është një udhëtim drejt ringjalljes së një zemre të humbur kulturore të Kosovës.

 

gazetaexpress.com

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top