Folklor Souvenirs & Gifts, një sipërmarrje e re e fokusuar tek produktet e Turizmit, është vlerësuar nga programi RISE (Regional Incubator for Social Entrepreneurs).
Folklor Souvenirs & Gifts Albania, pjesë e disa programeve të inkubimit, ka një mision social të fortë: ruajtjen e traditës dhe trashëgimisë kulturore. Pjesë e programit të startupeve të zhvilluar nga qendra Kallz gjatë vitit të kaluar dhe i mentoruar nga sipërmarrësja Nevila Dudaj, me ekspertizë ndërkombëtare në fushën e turizmit, Folklor Souvenirs & Gifts po krijion suvenire të reja turistike, duke përdorur dizajnin grafik për të pasqyruar veshjet tradicionale të zonës së Ishmit në Durrës dhe të fshatit Shën Gjergj në Tiranë.
Panorea Ballaci themeluese e këtij startupi thotë se, “Çiftet tona Maria & Frani nga zona e Ishmit dhe Rremja & Xani nuk janë thjesht suvenire, por janë gjithashtu tur operatorë dixhital, që ofrojnë një guidë virtuale, e cila fillon nga Kalaja e Ishmit në Durrës. Guida e Rremes & Xanit fillon nga Ujëvara e Shën Gjergjit në Tiranë. Synimi i këtij projekti është të promovojmë turizmin dixhital në Shqipëri”.
Magnetet turistike të dizajnuara nga Folklor Souvenirs & Gifts mund të gjenden në disa pika të njohura në Durrës, si Hotel Adriatik, Marigo Souvenirs & Gifts, Peeping Tourist Exhibition, si dhe në Qendrën Etno-Kulturore Albanian Night në Tiranë.
Vlerësimi nga programi RISE, tregon angazhimin e Folklor Souvenirs & Gifts për të ruajtur dhe promovuar traditën dhe kulturën shqiptare nëpërmjet suvenireve dixhitale, dhe është një dëshmi e angazhimit të përkushtuar për zhvillimin e sipërmarrjes sociale në rajon.