Psikologu

Psikologu Online: Çmimi i parë në Women Startup Competition dhe inovacioni në shëndetin mendor

Startup-i Psikologu Online është shpallur fitues i çmimit të parë në Women Startup Competition Albania për këtë vit, duke u dalluar për ofrimin e shërbimeve të konsultave psikologjike dhe psikoterapeutike në mënyrë të përshtatshme dhe inovative. Platforma e zhvilluar nga Jonarda Kërkuti ofron mundësinë për të marrë ndihmë profesionale përmes seancave video online, duke garantuar një nivel të lartë konfidencialiteti dhe profesionalizmi.

Jonarda shpjegon se shërbimi aktualisht është më i përdorur nga diaspora shqiptare, e cila ka nevojë për mbështetje psikologjike në distancë. Në një intervistë ekskluzive, ajo ndan me ne hapat e parë të startup-it dhe planet për të ardhmen, duke përfshirë mënyrat se si Psikologu Online do të vazhdojë të përmirësojë shërbimin dhe të arrijë më shumë përdorues në të ardhmen.

 

“Lehtësohu. Rimerr Forcën. Kthehu Tek Të Qenit Ti”, kjo është edhe motoja juaj që ju shoqëron në platformën online. Le ta nisim këtë intervistë me fillimet tuaja pra, kur vendosët të themeloni startup-in tuaj dhe çfarë ju motivon në këtë sipërmarrje? 

Vendosa të themeloj Psikologu Online katër vjet më parë, kur vura re mungesën e mbështetjes psikologjike të lehtë, të aksesueshme për shumë njerëz. Në vitin 2019, konceptuam këtë shërbim për të ndihmuar emigrantët, nënat me fëmijë të vegjël dhe personat në zonat rurale që nuk mund të aksesonin shërbime profesionale për shkak të distancës dhe pamundësisë për të lëvizur.

Pandemia e nxiti më tej kërkesën për këtë shërbim. Ajo që më motivoi më shumë ishte dëshira për të ndihmuar njerëzit të përballen me sfidat e tyre emocionale dhe psikologjike, duke u ofruar atyre mundësinë për të marrë ndihmë profesionale pa pasur nevojë të lënë shtëpinë.

Cili është misioni dhe vizioni i kompanisë tuaj?

Misioni ynë është të ofrojmë mbështetje psikologjike me cilësi të lartë për të gjithë ata që kanë nevojë për të, në çdo kohë dhe kudo. Vizioni ynë është të bëhemi platforma lider në Shqipëri për shërbimet e shëndetit mendor, duke krijuar një komunitet më të shëndetshëm dhe të ndërgjegjshëm emocionalisht nëpërmjet edukimit të vazhdueshëm të shëndetit mendor dhe psiko-edukimit.

Cila është faza e startup-it tuaj, çfarë po bëni aktualisht? Cilat kanë qenë hapat kyçe në këtë rrugëtim?

Arritëm pikën e barazimit (break-even) gjatë vitit të parë, duke treguar se investimi ynë fillestar ishte në përputhje me të ardhurat nga shitjet që arritëm si kompani. Aktualisht, jemi në fazën e rritjes dhe zgjerimit të shërbimeve tona. Hapat kyçe përfshijnë zhvillimin e mëtejshëm të funksionaliteteve të platformës, rekrutimin e profesionistëve të tjerë të kualifikuar, shërbime të reja dhe marketingun për të rritur ndërgjegjësimin dhe përdorimin e shërbimeve tona.

Cilat janë vlerat dhe besimet që ju udhëheqin në sipërmarrje?

Vlerat tona kryesore janë integriteti, empatia dhe përkushtimi ndaj cilësisë. Besojmë se çdo person meriton mbështetje dhe kujdes profesional dhe se duke ndihmuar njerëzit të përmirësojnë shëndetin e tyre mendor, kontribuojmë në një shoqëri më të mirë.

Çfarë zgjidhje ofroni në treg për klientët tuaj?

Ofrojmë një platformë të lehtë, të aksesueshme ku individët mund të marrin konsulta psikologjike dhe psikoterapi nga profesionistë të kualifikuar përmes seancave video online. Kjo zgjidhje u lejon klientëve të marrin ndihmë në mënyrë të përshtatshme dhe konfidenciale.

Si po ndikon ndryshimi i teknologjisë dhe i tregut në sipërmarrjen tuaj?

Teknologjia ka luajtur një rol të madh në mundësimin e shërbimeve tona. Përparimet në teknologjinë e komunikimit dhe sigurisë kanë bërë të mundur ofrimin e shërbimeve të sigurta dhe efektive. Ndryshimet në treg, veçanërisht rritja e ndërgjegjësimit për shëndetin mendor, kanë krijuar një kërkesë të madhe për shërbimet tona.

Cilat janë planet tuaja për rritje të ardhshme dhe strategjitë për t’i arritur ato?

Planet tona për rritje përfshijnë zgjerimin e shërbimeve tona në të gjithë Shqipërinë, ballkanin dhe në botë, rritjen e ekipit tonë të profesionistëve dhe zgjerimin e ofertës së shërbimeve tona për të përfshirë më shumë specializime dhe programe trajtimi.

Strategjitë për t’i arritur këto përfshijnë bashkëpunime, marketing efektiv dhe përmirësim të vazhdueshëm të platformës sonë. Ne po planifikojmë hapjen e një seksioni ku mund të kryhen teste psikologjike online, rritjen e zonës së e-commerce me produkte virtuale ndihmëse të terapisë dhe produkte për shendetin mendor.

Çfarë ju bën më të lumtur në sipërmarrjen që keni nisur?

Ajo që më bën më të lumtur është fakti që po ndihmoj njerëzit të përmirësojnë jetën e tyre dhe të përballen me sfidat e tyre mendore dhe emocionale. Kur dëgjoj për historitë e suksesit dhe përmirësimet në jetën e klientëve tanë, ndiej se puna jonë ka një ndikim të vërtetë dhe të rëndësishëm.

Çfarë synoni të realizoni konkretishtë në 3 vitet e ardhshme?

Në tre vitet e ardhshme, synojmë të rrisim ndjeshëm numrin e përdoruesve dhe të zgjerojmë gamën e shërbimeve tona për të përfshirë terapi të specializuara dhe programe të mbështetjes komunitare. Gjithashtu, duam të forcojmë pozicionin tonë në treg dhe të bëhemi lider në ofrimin e shërbimeve të shëndetit mendor online në rajon. Konkretisht, planifikojmë të ofrojmë shërbime jo vetëm për klientët individualë, por edhe për kompani, për t’i ndihmuar ato në menaxhimin e burn out-it dhe uljen e turn over-it.  Ne jemi duke programuar shpejt nxjerrjen e shërbimeve të reja, si abonimet mujore për materiale ekskluzive me kosto efektive, produkte video dhe audio të regjistruara me akses të përhershëm, produkte specifike për shëndetin mendor dhe të zhvillojmë një aplikacion web me ndihmën e Rubik Technologies për teste psikologjike dhe funksione të tjera.

psikologu

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top