pasiguri dhe ankth

Mes pasigurive dhe ankthit, mjafton një pyetje për të gjetur qetësinë dhe forcën për të ecur përpara

Jetojmë në kohë të pasigurta dhe plot ankth. Nuk është për t’u habitur që mendjet e shumë sipërmarrësve janë një stuhi pyetjesh shqetësuese si: Po sikur tarifat tregtare të qëndrojnë dhe të më rriten kostot?

                                         Po nuk qëndruan, si do të marr vendime për të ardhmen e biznesit tim?

                                         Po sikur të vijë një recesion?

                                         Po sikur të humbas kontratat me shtetin?

                                         Po sikur zona ku jetoj të goditet nga një fatkeqësi natyrore?

                                         Po sikur inteligjenca artificiale ta përmbysë të gjithë industrinë time?

Fatkeqësisht, nuk mund të themi se këto shqetësime janë të pabaza. Por ka një sugjerim që mund të ndihmojë për të qetësuar të gjitha këto “po sikur” që s’të lënë të flesh natën. Mënyra për të kaluar ankthin mbështetet nga një grup i respektuar ekspertësh, psikologë dhe filozofët stoikë. Është një teknikë e thjeshtë dhe efektive.

Përpara se të zbulojmë këtë “magji”, është e rëndësishme të kuptojmë se ankthi në vetvete mund të ketë edhe anë pozitive. Sipas neuroshkencëtares Wendy Suzuki nga Universiteti i Nju Jorkut dhe autores së librit Good Anxiety (2022), çdo “po sikur” që të frikëson mund të të ndihmojë të mendosh më mirë për situatën dhe të përgatitesh më mirë për të. Nëse përdoret si një hartë për të shmangur problemet, ankthi mund të shndërrohet në një superfuqi. Por që të ndodhë kjo, duhet të dalësh nga rrethi i pafund i shqetësimeve dhe të fillosh të mendosh në mënyrë praktike se çfarë mund të bësh realisht.

Artikull i Psychology Today nga psikologu Jeffrey Bernstein, ofron një metodë konkrete për ta kthyer ankthin e lodhshëm në veprim dhe qetësi mendore.

“Është e habitshme si pikëpyetje – mund të të shkatërrojnë qetësinë në sekonda,” shkruan Bernstein. “Ankthin e shoqëron pasiguria, ato e ushqejnë, zmadhojnë frikën dhe e pengojnë trurin të mendojë qartë. Nga fëmijët te të rriturit, askush nuk i shpëton këtyre pasigurive.”

Çelësi për të rifituar qetësinë është një pyetje e vetme:

“Cili është gjëja më e keqe që mund të ndodhë?”

… por duhet ta kanalizosh siç duhet

Po pse duhet të mendosh për skenarin më të keq? A nuk do të thotë kjo se po mendon për më të keqen?

Jo, thotë Bernstein. Kjo qasje mbështetet te terapia konjitive. Pyetja nuk të shtyn drejt mendimeve katastrofike – përkundrazi, të vendos me këmbë në tokë. Të ndihmon të ngadalësosh mendjen, të analizosh realitetin dhe të kuptosh se edhe nëse ndodh më e keqja… ti mund ta përballosh.

Mendo për një film horror. Shumica e frikës vjen para se të shohësh përbindëshin ose alienët që sulmojnë. Sapo i sheh, frika vazhdon, por vëmendja kalon te lufta për mbijetesë. A do të arrijnë heronjtë të shkatërrojnë anijen e armikut? Më shumë mendim i shkon veprimit dhe më pak frikës.

Në jetën reale ndodh e njëjta gjë: frika më e madhe është ajo nga e panjohura. Po kur përballesh me një situatë konkrete – edhe nëse është e vështirë – mund të fillosh të veprosh, jo thjesht të shqetësohesh.

Dalja nga mjegulla e “po sikur”

Bernstein përdor një gjuhë më psikologjike për këtë: “Kjo pyetje ndalon trurin të marrë flakë nga frika e paqartë” dhe të “vendos në realitet.” Të detyron të mendosh në mënyrë specifike, jo të humbesh në mjegullën e “po sikur”-ve.

Por, të përballesh me skenarin më të keq nuk është gjithmonë e lehtë. Sapo e emërton dhe e sheh përballë, e kupton se ka zgjidhje, ka rrugë dalje dhe kjo të ndihmon të fillosh të marrësh hapa konkretë.

Një pyetje që vjen që nga Roma e lashtë

Kjo nuk është ide e re. Në një prezantim për Google, Tim Ferriss tregoi se ai përdor shpesh pyetjen “Cili është gjëja më e keqe që mund të ndodhë?”, të cilën e mësoi nga filozofët stoikë romakë.

Ai rrëfen se dikur kishte një biznes që i merrte 14 orë punë në ditë, por frika e “po sikur”-ve nuk e linte të merrte vendime. Kur lexoi filozofin Seneka, kreu një ushtrim:

  1. Në një kolonë: shkroi të gjitha skenarët më të këqij.

  2. Në kolonën tjetër: çfarë mund të bënte për të ulur gjasat që ato të ndodhnin.

  3. Dhe në kolonën e fundit: çfarë mund të bënte për të rikthyer situatën në gjendjen aktuale, nëse ndodhte më e keqja.

Kur e pa të shkruar, kuptoi që në një shkallë nga 1 në 10, dhimbja që do ndjente nëse ndodhte më e keqja ishte vetëm 2. Ai e la biznesin, shkoi në një pauzë të gjatë, dhe shkroi librin bestseller The 4-Hour Workweek.

Nuk mund të themi që çdo përgjigje ndaj pyetjes “Cila është gjëja më e keqe që mund të ndodhë?” do të sjellë një sukses si ai i Ferriss. Por psikologjia moderne dhe filozofia antike janë dakord për një gjë: do të ndihesh më i qetë dhe më i përgatitur. Dhe kjo është shumë për një pyetje të thjeshtë.

Inc

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top