Arben Malaj

Arben Malaj: “Buxheti 2026 rrezikon polarizimin social, transparenca dhe llogaridhënia janë emergjente”

Në një periudhë të trazuar për ekonominë shqiptare, ku rritja e kostove të jetesës dhe presioni mbi financat publike po ndikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, projektbuxheti 2026 ka ndezur debat të gjerë politik dhe ekonomik.

Ish-ministri i Financave, Prof. Arben Malaj, një nga zërat më kritikë të qeverisjes ekonomike, ka dhënë një intervistë për gazetën Panorama, ku analizon sfidat kryesore të buxhetit, rreziqet e PPP-ve, borxhin publik, menaxhimin e investimeve, si dhe standardet e llogaridhënies në qeveri.

Në analizën e tij ndaj projektbuxhetit 2026, Prof. Arben Malaj nënvizon se sfida kryesore e qeverisë duhet të jetë sigurimi i një rritjeje ekonomike më të drejtë dhe më të qëndrueshme, duke mbështetur shtresat që preken nga rritja e çmimeve dhe kostot e strehimit. Ai ngre shqetësimin se politikat aktuale mund të shtojnë polarizimin social, nëse mungon një balancim më i drejtë i prioriteteve buxhetore.

Një tjetër pikë kritike e Malajt është menaxhimi i PPP-ve dhe koncesioneve, të cilat i konsideron burim të lartë risqesh për financat publike. Ai kërkon mbikëqyrje profesionale shumë më të fortë nga Ministria e Financave dhe paralajmëron se vendi nuk ka ende kapacitetet e nevojshme për të kontrolluar projekte me kosto të madhe buxhetore.

Lidhur me debatin politik, Malaj mbron parimin e prezumimit të pafajësisë, por thekson se çdo akuzë ndaj zyrtarëve të lartë dëmton besimin publik. Në lidhje me qëndrimin e ministres Balluku në detyrë, ai sugjeron se debati është më shumë etik dhe politik, ndërsa vendimi i Gjykatës Kushtetuese për rikthimin e Erion Veliajt në detyrë e sheh si një çështje që ka edhe ndikime të forta në perceptimin publik.

Në intervistë, Malaj ndalet edhe te çështjet e aktualitetit politik si pozicioni i ministres Belinda Balluku, vendimi për rikthimin e Erion Veliajt në detyrë, roli i SPAK-ut dhe ndikimi që këto vendime kanë mbi besimin publik tek institucionet. Ai thekson se rreziku real për vendin mbetet korrupsioni dhe politizimi i proceseve gjyqësore, si dhe mungesa e kulturës së dorëheqjes në rastet kur zyrtarët janë nën hetim. Me temë, Arben Malaj: “Buxheti 2026 rrezikon polarizimin social – transparenca dhe llogaridhënia janë emergjente”

Për punën e SPAK-ut, Malaj shprehet se struktura mbetet shpresa më e madhe kundër korrupsionit, por paralajmëron se sukseset e tij do të shoqërohen gjithmonë me sulme politike, siç ndodh në çdo vend të BE-së ku preken interesat e aktorëve të fuqishëm.

Në mbyllje, ish-ministri kërkon më shumë transparencë, më shumë kontroll, një sistem të fortë llogaridhënieje dhe një kulturë politike që respekton ndarjen e pushteteve si rruga e vetme për të mbrojtur interesin publik dhe për të rikthyer besimin e qytetarëve te institucionet.

panorama

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top