Arben Malaj

Arben Malaj: “Sfida kryesore është: a do të ecim drejt një demokracie funksionale, apo drejt një autokracie në rritje?”

Pas fitores së katërt radhazi të Partisë Socialiste, Arben Malaj, ish-ministër i Financave dhe një figurë e njohur e politikës shqiptare, analizon sfidat dhe pritshmëritë për qeverinë e re. Në një intervistë të thelluar, Malaj flet për modelin e qeverisjes, rolin e gjeneratave të reja brenda PS-së, situatën e opozitës dhe rëndësinë e reformatave të thella për integrimin evropian, transparencën dhe llogaridhënien.

Malaj nënvizon se mandati i katërt i qeverisë është një mundësi për të konsoliduar demokracinë funksionale dhe për të forcuar institucionet. Ai thekson rëndësinë e reformatave strukturore, përfshirjes së gjeneratave të reja dhe politikave që synojnë transparencë dhe llogaridhënie. Sfidat kryesore mbeten integrimi evropian, zhvillimi ekonomik, kohezioni social dhe parandalimi i ndikimeve të panevojshme në legjislacion, duke krijuar kështu hapësira për qeverisje të përgjegjshme dhe profesionale.

Më poshtë lexoni intervistën e plotë nga Arben Malaj/Panorama

Z.Malaj, Edi Rama do të qeverisë edhe 4 vitet e ardhshme. A besoni se kryeministri do të ofrojë diçka ndryshe nga mandatet e mëparshme…?

Lidhur me modelin e qeverisjes, nuk pritet ndonjë ndryshim i madh. Lidhur me sfidat e qeverisë, ato pas tri mandateve janë të qartësuara. Fokusimi tek integrimi evropian dhe te reformat, deri kushtetuese, të theksuara në Asamblenë e Partisë Socialiste, do të qartësojnë vendosmërinë për t’i realizuar me çdo kusht, apo edhe hapësirat për kontribute jashtë qeverisë dhe bashkëveprimin me Bashkimin Europian për të garantuar mosprekjen e vijave të kuqe, sidomos lidhur me lirinë e medias, si dhe ndarjen, balancën dhe kontrollin e pushteteve. 
Sfida kryesore është: a do të ecim drejt një demokracie funksionale, apo drejt një autokracie në rritje?

Cilat janë pritshmëritë tuaja nga qeveria e re? A do të ketë simptomat e së shkuarës, mungesën e dialogut, arrogancën, keqpërdorimin e pushtetit, shmangien e llogaridhënies…?
Rreziqet potenciale ekzistojnë. Në prezantimin në Asamblenë e PS-së u la të
kuptohej se këto rreziqe njihen dhe u prezantuan disa ide për t’i reduktuar. Sfida mbetet: a do të kemi një mandat të katërt me më shumë pushtet, por edhe me më shumë përgjegjësi? Kjo në thelb kërkon mirëqeverisje, bashkëqeverisje, transparencë dhe llogaridhënie.

 

Nisur nga eksperienca juaj e gjatë në qeverisjen e mëparshme socialiste, si dhe një kontribuues i rëndësishëm brenda së majtës, mendoni se ndryshimet në qeveri u bënë më shumë për të forcuar kontrollin politik?
Ka një trend aktual në politikë që kryeministrat apo presidentët në qeveritë presidenciale po mbështeten më shumë te njerëzit besnikë. Profili publik i ministrave dhe i deputetëve është i reduktuar. Rama ka kontroll të plotë politik mbi PS-në dhe qeverinë, dhe kjo, aq sa është diçka e mirë për të individualisht, mund të ketë risqe jo pozitive për qeverisjen e vendit. Me këtë numër mandatesh në pushtet dhe me këtë shumicë në parlamentin e ri, rreziku më i madh është euforia e pushtetit të madh, mandateve personale të gjata. PS-ja po promovon gjithnjë e më tepër të rinjtë.


Si e shihni sot konkurrencën mes “të vjetërve” dhe “të rinjve” në Partinë Socialiste
?

A kemi të bëjmë me “përplasje” gjeneratash…? Nuk besoj se ka një konkurrencë të fortë. Ajo është e zbehtë edhe për faktin se e gjithë politika e përzgjedhjes, promovimit dhe përjashtimit të çdo të mandatuari pilitik, në të dy krahët e saj është përqendruar te kryetarët e partive. Përballë këtij pushteti të përqendruar dhe absolut ka shumë pak rreziqe për “përplasje” gjeneratash brenda partive politike. Fatin e tyre, promovimin dhe jetëgjatësinë aktive si për të vjetrit, ashtu edhe për të rinjtë, e përcaktojnë preferencat dhe vlerësimet personale të kryetarëve të partive. Kjo dëmton demokracinë e brendshme, vret inspirimin për angazhim dhe kontribut publik dhe dëmton kredibilitetin politik jo vetëm të individëve, por edhe të politikës në tërësi.

 

Hyrja e gjeneratave të reja, perspektiva për ndryshim dhe përfshirja e njerëzve që nuk janë “politikanë të konsumuar”, po e zhvillon apo po e dëmton PS-në?
Koncepti “i konsumuar” nuk duhet të shihet si çështje ditëlindjesh. Brezat duhet të harmonizohen, ata nuk përjashtojnë njëri-tjetrin. Në dinamikën e tranzicionit krijohen profile publike politike, të cilat konsolidohen për shkak të performancës dhe vlerësimit publik. Këta individë përbëjnë bërthamën që maksimizon harmoninë midis brezave. Të rinjtë sjellin sinergji pozitive, kanë ambicie, por nuk janë të vaksinuar ndaj rrezikut të korrupsionit apo abuzimit me pushtetin. Prandaj, që në fillimet e tyre në politikë, ata duhet të investohen në integritet të lartë dhe përkushtim maksimal në përmbushjen e mandatit dhe besimit publik. Në partitë politike shqiptare nuk ka grupe të strukturuara të të rinjve apo të vjetërve; gjithçka mbetet në dorën e kryetarëve.

 Si e shihni opozitën përballë një maxhorance, që qeveris për herë të katërt vendin?
Do të ishte jo pozitive jo vetëm për opozitën, por edhe për demokracinë në vend, që opozita në mandatin e saj të katërt të bazohej vetëm tek agresiviteti. Agresiviteti nuk është arma me të cilën opozita mund të bëhet më e madhe, më imponuese apo më influencuese. Militantët meritojnë respekt, por ata janë të pamjaftueshëm për ta rindërtuar opozitën si një forcë më të madhe dhe akoma më pak si fituese. Hapja e saj, rritja e mbështetjes jo vetëm nga anëtarët, por edhe nga preferues të së djathtës, angazhimi i tyre në çdo qelizë të riorganizimit të opozitës – duke filluar nga PD-ja – është i domosdoshëm, sepse edhe koha e përballjeve elektorale, qoftë edhe pjesore, është relativisht e shkurtër dhe e vështirë përballe një mazhorance me katër mandate fituese. Opozita rritet kur rritet shpresa për fitore. Mungesa e fitoreve të njëpasnjëshme ushqen pasivitetin dhe pengon ringritjen e saj. Fragmentimi i së djathtës mbetet një pengesë me pasoja negative dhe jo shpresëdhënëse.

Çfarë duhet të bëjë opozita për të garantuar kontrollin parlamentar ndaj qeverisë?
Opozita do ta ketë më të vështirë se në tri mandatet e para kontrollin parlamentar, nëse ndryshimet në rregullore do të bëhen pa marrë parasysh qëndrimet e saj. Ajo mund t’i përdorë më mirë seancat plenare, me një strategji të re, si edhe interpelancat. Ndërsa për komisionet hetimore, duket se hapësirat e saj do të ngushtohen dhe ky është debat deri kushtetues. Opozita ka një faktor që mund ta përdorë pozitivisht: duke qenë forcë proevropiane, shqetësimet dhe propozimet e saj alternative për reformat, deri kushtetuese, të mazhorancës duhet të gjejnë mbështetje në draft-vlerësimet dhe kushtëzimet e Bashkimit Evropian. Por kjo kërkon një qasje tjetër në aktivitetin e saj politik brenda vendit. Kërkohet kalimi nga një opozitë bllokuese dhe agresive ndaj institucioneve, në një opozitë konkurruese dhe sfiduese.

Pse pikërisht tani Edi Rama hedh idenë e shkurtimit të numrit të deputetëve deri në 101, pasi kjo është kërkuar vite me radhë dhe ai e ka refuzuar, por tashmë i bashkohet opinionit kritik?

Mandati i katërt është për Edi Ramën mundësi për të krijuar profilin e një shtetari, jo thjesht të një politikani fitues. Duke ndërmarrë reforma deri kushtetuese, që ristrukturojnë formën e qeverisjes së vendit, duke ndërtuar një administratë publike joklienteliste, por thellësisht profesionale, duke rrëzuar barrierat dhe duke krijuar barazi mundësish për çdo individ dhe biznes, duke synuar përdorimin e Inteligjencës Artificiale në luftën kundër korrupsionit dhe ide të tjera specifike – Rama është në garë me kohën për trashëgiminë e tij në tranzicionin shqiptar.  Çfarë instrumentesh, ligjesh mendoni se nevojiten për të parandaluar ligjet “me porosi” dhe vendimmarrjen arbitrare? Cili është rreziku potencial? Mundësitë janë të pakta. Mazhoranca vjen pas tri mandatesh, ku ekziston rreziku i vazhdimit të influencave për ligje të tilla.

 

A do të reduktohen këto kërkesa pas tri mandatesh, apo do të bëhen edhe më influencuese?

Ky është një rrezik potencial jo i vogël, aq më shumë kur këto ligje deformojnë dhe zvogëlojnë konkurrencën, apo përqendrojnë fuqinë ekonomike në pak individë dhe kompani. Kujdes duhet sidomos për Partneritetet PublikePrivate, koncesionet me pasuritë natyrore dhe projektet në sektorët strategjikë të zhvillimit.

Kryeministri paralajmëroi zgjedhje të reja në Tiranë për pasuesin e Erion Veliajt në bashki. A ka njolla ligjore në këtë rast?

Është një betejë ligjore, që ka nevojë për analizë të së drejtës kushtetuese dhe penale. Por, në përgjithësi, duhet të çtensionojmë politikën shqiptare nga mosrespektimi i parimit universal të prezumimit të pafajësisë, derisa një vendim i dy shkallëve gjyqësore të shpallë fajtor çdo qytetar, përfshi edhe politikanët. Mendoj se duhet të orientohemi drejt një politike penale që lufton korrupsionin, por respekton këtë parim kushtetues. Përvojat ndërkombëtare janë në favor të këtij parimi:

ish-presidenti i Brazilit u dënua me 27 vite, por u përball i lirë me gjykatat; i njëjti model vlejti për Sarkozy-n, Berluskonin dhe shumë politikanë të tjerë. Rasti Veliajt pas gjykimit deri në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën Europiane të Drejtave të Njeriut mund të krijojë premisat për precedentë pozitivë në qoftë se fiton parimi i prezumimit të pafajësisë, ose mund të kthehet në një risk akoma më të madh për luftën politike. Rishikimi i Kodit Penal është një mundësi që profesionalisht të qartësohet dhe të forcohet parimi i prezumimit të pafajësisë në Kodin Penal dhe në kuadër ligjore pasuese.

Sipas jush, eksperienca e Ogerta Manastirliut në shëndetësi dhe arsim a e bën atë një kandidate të fortë për kryetare bashkie, apo do të marrë rrezikun politik, efektin “Veliaj”…?

Çdo garë ka një rrezik politik. Strukturat e PS-së në Tiranë e njohin dhe e respektojnë Ogertën, çka është një premisë pozitive. Po ashtu, ajo i njeh strukturat e PS-së në Tiranë dhe kjo është një pikënisje e mirë për të maksimizuar angazhimin e tyre për fitoren. Disa shpresojnë se efekti “Veliaj” mund të krijojë disa pasoja jo pozitive në unifikimin e ekipit elektoral.

Vlerësoj se kjo nuk do të jetë në kufij që të dëmtojë rezultatin. Përgjithësisht, kur nuk ka grupe publike kundër, ose kur ato nuk përfaqësojnë një alternativë të re konkurruese, ato mbeten fragile dhe pa ndikim vendimtar. Ogerta është një kandidate e fortë, por edhe nëse opozita mbetet e fragmentuar, fitorja kërkon një përkushtim maksimal nga i gjithë ekipi politik i Tiranës.

 

Cilat janë tri prioritetet kryesore që qeveria e re duhet të fokusohet menjëherë pas marrjes së detyrës?
Integrimi evropian mbetet prioriteti kryesor dhe ka arritje pozitive, çka lehtëson negocimin e kapitujve të tjerë. BE-ja është një forcë inspiruese dhe mundësitë për anëtarësim janë rritur edhe për shkak të zhvillimeve gjeopolitike. Por reformat strukturore duhet të bëhen me përgjegjësinë e efekteve të tyre reale në ambientin ekonomik, social dhe politik të vendit. Ambienti, në të gjitha dimensionet e tij, duhet të jetë një prioritet i rëndësishëm, aq më tepër kur edhe për shumë vite turizmi do të mbetet sektor kyç për ekonominë tonë.

Një tjetër sfidë madhore për të ndalur braktisjen e vendit janë politikat e kohezionit social, të cilat duhet të ndihmojnë në rritjen e përfitimeve nga rritja ekonomike edhe për shtresat e mesme dhe ato të varfra, por edhe për zonat rurale, ku politika publike të menduara dhe implementuara mirë mund të dekurajojë largimin e popullsisë.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top