arsimi universitar

Ballkani dhe Shqipëria larg kërkimit dhe inovacionit në universitete

Banka Botërore: cilësia në rajonin e Ballkanit më e ulëta, 8.7 nga 100

Raporti i fundit i Bankës Botërore rreth arsimit dhe ndikimit të tij në ekonomi, nxjerr në pah, mangësitë e theksuara të kërkimit dhe inovacionit në arsimin e lartë në Ballkan. Sipas këtij raporti, cilësia e këtij treguesi vlerësohet me vetëm 8.7 pikë nga 100 pikë (maksimale), duke u paraqitur shumë më ulët se BE dhe rajone të tjera. Ndërkohë, në Ballkan nuk ka asnjë universitet që mund të renditet mes 500 universiteteve më të mira në Botë.

Banka Botërore bën thirrje për rritje të investimeve në kërkim dhe inovacion në arsimin e lartë, për të mundësuar prodhimin e inovacionit në rajon, si një mundësi për të rritur zhvillimin ekonomik.

Ky raport, ka riparë në ulje zhvillimin ekonomik në Europë dhe Azinë qendrore për vitin e kaluar.

“Rritja ekonomike në Evropë dhe Azinë Qendrore (ECA) ka të ngjarë të ulet nga 3.5% në 2023 në 3.3% këtë vit. Kjo është dukshëm më e dobët se rritja mesatare prej 4,1 % në periudhen e viteve 2000–19. Rritja këtë vit është nxitur nga politikat fiskale ekspansioniste dhe konsumi. Kërkesa e jashtme është më pak e favorshme për shkak të zgjerimit më të dobët ekonomik me partnerët kryesorë të tregtisë, si Bashkimi Evropian. Rritja pritet të ngadalësohet më tej në vitin 2025, kryesisht për shkak të uljes se rritjes në Federatën Ruse dhe Turqi”, thuhet në raport.

BB bën thirrje për një reformim të thellë të sistemeve arsimore në të gjithë rajonin, veçanërisht në arsimin e lartë, për të nxitur talentet e nevojshme për të rigjallëruar rritjen ekonomike dhe për të përshpejtuar konvergjencën me vendet me të ardhura të larta. Universitetet në rajon kanë probleme me menaxhimin e dobët, kurrikulat e vjetëruara dhe financimin e pamjaftueshem te infrastruktures. Mospërputhja mes aftësive të diplomuarve dhe atyre aftesive që kërkojnë punëdhënësit çon në humbje potenciali dhe kontribuon në fenomenin e “largimit të trurit” nga rajoni. Ndryshimi i kahut rënës në cilësinë e arsimit do të kërkonte prioritizimin e përmirësimeve në trajnimin e mësuesve, përditësimin e kurrikulave dhe investime në infrastrukturën arsimore. Në arsimin e lartë, nevojiten reforma për të konsoliduara në sistemet universitare, për t’i integruar ato me qendrat kërkimore dhe për të ofruar mundësi për riaftësimin e krahut të punës.

 

Kërkohet Shfrytëzimi i Potencialit të Arsimit të Lartë në Ballkanin Perëndimor

Arsimi i lartë në Ballkanin Perëndimor ka potencial të pashfrytëzuar, jetësor për nxitjen e inovacionit, promovimin e rritjes dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë rajonale. Ndërsa sfidat vazhdojnë të jenë të pranishme, ekzistojnë mundësi të shumta për ndryshime transformuese.

Vlerësimi i cilësisë së arsimit të lartë në rajonin e Ballkanit Perendimor, me një mesatare prej 8.7 nga 100, thekson nevojën për reforma të guximshme dhe inovacion. Ky vlerësim është më i ulët krahasuar me Evropën dhe Azinë Qendrore (12.5), Bashkimin Evropian (28.8) dhe liderët globalë si Singapori (50.3). Serbia kryeson ne rajon me një rezultat prej 22.6, duke nxitur vendet fqinje për standarde më të larta.

Në mënyrë të ngjashme, niveli i popullsise me arsim të lartë — aktualisht 29% mes të rriturve të moshës 30–34 vjeç—mbetet serish prapa mesatares së ECA prej 33% dhe asaj të BE-së prej 43%. Per Shqipërine, rezultati prej 23.5%, thekson nevojën për reforma të targetuara dhe investime.

BB vlerëson se, “Performanca kërkimore e universiteteve në ECA është më e dobët krahasuar me Evropën, Shtetet e Bashkuara dhe Azinë Lindore. Vetëm 9 universitete nga ECA renditen mes 500 më të mirëve në renditjen globale te Times Higher Education 2024, asnjëra prej tyre nga Ballkani Perëndimor. Megjithatë, investimet strategjike në qeverisje, kërkime dhe kurrikula mund të ndihmojnë në mbylljen e këtij hendeku, duke perfituar nga sistemet më konkurruese në BE dhe më gjerë”.

Raporti sugjeron se, fuqizimi i arsimit të lartë është thelbësor për tranzicionin e Ballkanit Perëndimor drejt ekonomive të bazuara në inovacion dhe për aspiratat për t’u bërë rajon me të ardhura të larta. Cilësia e ulët e arsimit të lartë aktualisht ndikon në performancën e të diplomuarve në aftësi thelbesore si leximi dhe zgjidhja e problemeve. Përmirësimi i performancës së universiteteve do të prodhonte një forcë pune më të aftë dhe konkurruese, më të pajisur për të përmbushur kërkesat e tregut të punës dhe për të mbështetur ekonomitë dinamike.

Rajoni ka një rrugë premtuese përpara, bazuar në reforma të zbatueshme:

  • Nxitja e Llogaridhënies: Grantet konkurruese, vlerësimet transparente dhe mekanizmat që shpërblejnë ekselencën mund të çojnë në përmirësime cilësore.
  • Integrimi i Kërkimit dhe Inovacionit: Lidhja e universiteteve me qendrat kërkimore jo vetëm që do të përmirësojë rezultatet arsimore, por gjithashtu do të rrisë kapacitetin për inovacion.
  • Fuqizimi i Institucioneve dhe Individëve: Duke modernizuar kurrikulat, përmirësuar menaxhimin dhe krijuar mjedise konkurruese për stafin dhe studentët, rajoni mund të ngrejë standardet e tij arsimore.

Këto ndryshime, të kombinuara me një angazhim të të mësuarit gjatë gjithë jetës si dhe bashkëpunimi me partnerë globalë, mund të mbështesin Ballkanin Perëndimor në rrugën drejt një modeli rritjeje të bazuar në inovacion dhe arritjes së statusit të vendeve me të ardhura të larta. Duke e kthyer arsimin e lartë ne prioritet, rajoni mund të zhbllokojë një të ardhme më të mire, me universitete të njohura globalisht dhe ekonomi që lulëzojnë mbi bazën e inovacionit dhe talentit.

Cilësia e arsimit të lartë (ndaj 100)

Bashkimin Evropian (28.8)

Ballkanit Perendimor (8.7)

Nga ku Serbia (22.6)

Evropa dhe Azia Qendrore (12.5)

Singapor(50.3)

Burimi: BB

Vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kalojnë në një model rritjeje të bazuar në inovacion

Flet Richard Record, Menaxheri në detyrë i Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri

Raporti ekonomik i Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, nënvizon rolin thelbësor të arsimit të lartë në nxitjen e rritjes ekonomike dhe zhvillimin e inovacionit në të gjithë rajonin, përfshirë edhe Shqipërinë. Banka Botërore është e përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt një të ardhmeje më të begatë përmes arsimit cilësor.

Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor ndodhen në një fazë zhvillimi ku jo vetëm që duhet të mundësojnë importimin dhe përhapjen e teknologjive të reja, ekspertizës dhe zhvillimin e kapitalit njerezor, por gjithashtu duhet të jenë në gjendje të krijojnë teknologji dhe procese të reja. Me fjalë të tjera, vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të kalojnë në një model rritjeje të bazuar në inovacion për të siguruar rritje më të fortë të produktivitetit, punësimit dhe pagave. Për këtë, ato kanë nevojë për një forcë pune shumë të kualifikuar dhe sisteme arsimore cilësore – veçanërisht sisteme të arsimit të lartë cilësor.

Pavarësisht përparimeve të fundit, shumica e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë ende prapa vendeve të BE-së në rezultatet e kapitalit njerëzor. Në rajon, natyra e kërkesës në tregun e punës është e tillë që arsimi bazë nuk është më i mjaftueshëm për të siguruar punësim produktiv.

Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme në zgjerimin e aksesit në arsimin e lartë. Ndërsa numri i studentëve që diplomohen nga institucionet e arsimit të lartë është rritur në mënyrë drastike, ekziston një disbalance mes fushave të studimit. Për shembull, më pak se 15 për qind e të diplomuarve janë nga programet STEM (shkence, teknologji, inxhinjeri, matematike), krahasuar me norma që janë dyfish më të larta në ekonomitë e avancuara të Evropës. Për të siguruar që arsimi i lartë të kontribuojë në mënyrë efektive në rritjen ekonomike, duhet të përqendrohemi në përmirësimin e cilësisë dhe rëndësisë së arsimit. Në veçanti, arsimimi ne deget  shkence, teknologji, inxhinjeri, matematike (STEM) në arsimin e lartë është jetësor për zhvillimin e një force pune të kualifikuar, nxitjen e inovacionit dhe adresimin e sfidave globale. Duke integruar keto aftësitë, duke promovuar të mësuarin ndërdisiplinor dhe duke rritur pjesëmarrjen e grupeve të nënpërfaqësuara, arsimi STEM mund të kontribuojë ndjeshëm në përparimin ekonomik dhe shoqëror.

Pavarësisht përparimeve të rëndësishme, cilësia e arsimit në Shqipëri mbetet ende nën kërkesat e tregut. Anketat me bizneset tregojnë se mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar është një pengesë e rëndësishme për bizneset. Prandaj, është thelbësore të harmonizohen rezultatet arsimore me nevojat e tregut të punës, duke siguruar që të diplomuarit të zotërojnë aftësitë e kërkuara nga punëdhënësit. Duke mësuar nga shembujt e suksesshëm të vendeve të tjera, mund të adoptojmë praktikat më të mira për të mbushur këtë hendek.

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top