Mijëra palestinezë të zhvendosur u nisën drejt veriut për t’u kthyer në shtëpitë e tyre të rrënuara, pasi armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit hyri në fuqi dhe trupat izraelite filluan të tërhiqeshin nga disa zona të Gazës.
Një lumë njerëzish u drejtua përmes pluhurit dhe rrënojave në drejtim të qytetit të Gazës, zona më e madhe urbane e enklavës, që vetëm disa ditë më parë ishte nën një nga ofensivat më të ashpra të Izraelit gjatë luftës.
“Faleminderit Zotit që shtëpia ime ende qëndron, por gjithçka përreth është shkatërruar. Shtëpitë e fqinjëve janë rrafshuar, tërë lagjet janë zhdukur,” tha Ismail Zayda, 40 vjeç, nga lagjja Sheikh Radwan e qytetit të Gazës.
Lirimi i pengjeve pritet brenda 72 orësh
Ushtria izraelite konfirmoi se marrëveshja e armëpushimit u aktivizua në mesditë, sipas orës lokale (09:00 GMT). Qeveria izraelite e miratoi marrëveshjen me Hamasin në orët e para të së premtes, duke hapur rrugën për tërheqjen e pjesshme të trupave dhe ndërprerjen e plotë të luftimeve brenda 24 orëve.
Sipas marrëveshjes, Hamasi pritet të lirojë 20 pengjet izraelitë që besohet të jenë ende gjallë brenda 72 orësh, pas së cilës Izraeli do të lirojë 250 palestinezë që vuajnë dënime të gjata në burgjet izraelite dhe rreth 1,700 të tjerë të arrestuar gjatë luftës në Gaza.
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, deklaroi se Izraeli ka përfunduar fazën e parë të tërheqjes ushtarake dhe se periudha e shkëmbimit të pengjeve ka nisur.
Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, autokolona me ndihma ushqimore dhe mjekësore pritet të hyjnë në Gaza për të ndihmuar qindra mijëra banorë që kanë jetuar në tenda pas shkatërrimit të shtëpive dhe qyteteve të tyre.
Plani i Trump për t’i dhënë fund luftës
Faza e parë e planit të presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund luftës dyvjeçare në Gaza parashikon tërheqjen e trupave izraelite nga disa zona të mëdha urbane, megjithëse Izraeli do të mbajë ende nën kontroll rreth gjysmën e territorit të enklavës.
Në një fjalim televiziv, kryeministri Benjamin Netanyahu theksoi se forcat izraelite do të qëndrojnë në Gaza për të siguruar çmilitarizimin dhe çarmatimin e Hamasit në fazat e ardhshme të planit amerikan.
“Nëse kjo arrihet në mënyrë paqësore, aq më mirë. Nëse jo, do të arrihet me forcë,” tha Netanyahu.
Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, gjeneral brigade Effie Defrin, u bëri thirrje banorëve të Gazës të shmangin zonat që mbeten nën kontrollin ushtarak izraelit. “Respektoni marrëveshjen dhe sigurohuni për jetën tuaj,” deklaroi ai.
Tërheqje nga pozicionet në qendër dhe jug
Në Khan Younis, në jug të Gazës, disa trupa izraelite u tërhoqën nga lindja pranë kufirit, megjithëse dëshmitarët raportuan dëgjimin e të shtënave me tanke.
Në kampin Nusseirat, në qendër të enklavës, një pjesë e trupave izraelite u zhvendos drejt kufirit, ndërsa të tjera qëndruan në pozicion pas shkëmbimeve zjarri në orët e para të mëngjesit.
Gjithashtu, forcat izraelite u tërhoqën nga rruga përgjatë bregut të Mesdheut që të çon në qytetin e Gazës.
“Sapo dëgjuam lajmin për armëpushimin, u mbushëm me gëzim dhe nisëm për në qytet. Sigurisht, shtëpi nuk kanë mbetur, por të paktën po kthehemi në vendin tonë edhe pse mbi rrënoja, kjo është një gëzim më vete,” tha Mahdi Saqla, 40 vjeç. “Kemi vuajtur për dy vjet, të shpërngulur sa në një vend në tjetrin.”
Hamasi: kemi marrë garanci se lufta ka marrë fund
Lufta ka thelluar izolimin ndërkombëtar të Izraelit dhe ka trazuar gjithë Lindjen e Mesme, duke përfshirë Iranin, Jemenin dhe Libanin. Ajo gjithashtu ka vënë në provë marrëdhëniet mes Izraelit dhe SHBA-së, me Trump që ka ushtruar presion mbi Netanyahun për arritjen e një marrëveshjeje.
Izraelitët dhe palestinezët e përshëndetën lajmin e armëpushimit si hapin më të madh drejt përfundimit të luftës dyvjeçare, që ka lënë mbi 67,000 palestinezë të vrarë dhe pastruar rrugën për lirimin e pengjeve të fundit të mbajtura nga Hamasi që nga sulmi i 7 tetorit 2023.
Kreu i Hamasit në ekzil, Khalil al-Hayya, deklaroi se ka marrë garanci nga SHBA-ja dhe ndërmjetësit e tjerë se “lufta ka marrë fund”.
Sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 ndaj komuniteteve izraelite dhe një festivali muzikor vrau 1,200 persona dhe çoi në marrjen peng të 251 personave. Aktualisht besohet se 20 pengje izraelitë janë ende gjallë në Gaza, 26 janë shpallur të vdekur, ndërsa për fatin e dy të tjerëve nuk ka të dhëna. Hamasi ka paralajmëruar se kthimi i trupave të të vdekurve mund të kërkojë më shumë kohë.
Pengesa përpara
Nëse zbatohet plotësisht, marrëveshja do të shënonte përparimin më të madh drejt përfundimit të konfliktit, megjithatë shumë elementë mbeten të pasqaruar.
Palët nuk kanë publikuar ende listën e të burgosurve palestinezë që do të lirohen në këmbim të pengjeve izraelitë. Hamasi kërkon lirimin e disa prej të dënuarve më të njohur politikë në burgjet izraelite.
Po ashtu, nuk është rënë dakord për hapat e tjerë të planit 20-pikësh të Trump, përfshirë mënyrën se si do të qeveriset Gaza pas përfundimit të luftimeve dhe të ardhmen e Hamasit, që refuzon kërkesën për çarmatimin e tij.
Ministria e Brendshme e udhëhequr nga Hamasi tha se do të dislokojë forcat e saj të sigurisë në zonat ku ushtria izraelite është tërhequr. Nuk është ende e qartë nëse militantët e armatosur do të rikthehen në rrugë, diçka që Izraeli do ta konsideronte provokim.
Presidenti Trump njoftoi se do të udhëtojë drejt rajonit të dielën, ndoshta për të marrë pjesë në një ceremoni nënshkrimi në Egjipt. Policia izraelite po përgatitet për një vizitë të tij në Jerusalem, ndërsa kryetari i Knessetit, Amir Ohana, e ka ftuar ta adresojë parlamentin izraelit.