Në të gjitha vendet e Europës Juglindore e Ballkanit Perëndimor, kënaqësia për të jetuar është rritur dukshëm në krahasim me vitin 2016, duke reflektuar përmirësimin e të ardhurave.
Kjo gjë nuk ka ndodhur në Shqipëri. Ndonëse vendi ka pasur ndër rritjet më të larta të ekonomisë në rajon, kënaqësia për të jetuar nuk ka ndryshuar, madje është më e ulët se në 2006-ën. E dhëna është bërë e ditur nga raporti i fundit të tranzicionit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH).
Rezultatet e kënaqësisë janë rritur me kalimin e kohës në shumicën e ekonomive. Një rajon që ka bërë përparim të konsiderueshëm që nga viti 2016 është Europa Juglindore, e cila përfshin të dy vendet anëtare të Bashkimit Evropian (BE), Bullgarinë dhe Rumaninë dhe Ballkani Perëndimor, me pothuajse të gjitha vendet që shënojnë rritje të ndjeshme të kënaqësisë përjashtimi i vetëm mbetet Shqipëria.
Sipas grafikut që shoqëron raportin, niveli i kënaqësisë së jetesës së shqiptarëve është njëlloj si në vitin 2016, ndërkohë që është dhe më e ulët se në vitin 2006, kur ka filluar matja e këtij indeksi. Madje në 2006-ën, Shqipëria ishte një nga vendet që kishte kënaqësinë më të lartë të të jetuarit në rajonin e BERZH. Ndërsa në 2022, vendi renditet ndër të fundit në rajonin e BERZH, së bashku me Maqedoninë e Veriut, Hungarinë, Turqinë, Lituaninë.
Sipas Raportit të BERZH, rritja mesatare e kënaqësisë së jetesës në rajon ndoshta reflekton rritjen e të ardhurave, zhvillime të favorshme në tregjet e punë dhe përmirësime në shëndet.
Veçanërisht, vlerësimet e njerëzve për shëndetin e tyre janë përmirësuar ndjeshëm me kalimin e kohës, me vlerësime të tilla që përfshijnë jo vetëm aspektet fizike, por edhe shëndetin mendor. Rezultatet e sondazhit tregojnë se shqetësimi mendor shoqërohet me kënaqësi më të ulët dhe priret të jetë më i përhapur në vendet më të varfra dhe në mesin e individëve që janë financiarisht të pasigurt.
Për të dyja gjinitë, lumturia bie në mënyrë të qëndrueshme me rritjen e moshës, por përmirësohet sërish në vitet e mëvonshme.