Sektori minerar në tërësi duket se nuk po përjeton ditët e tij më të mira. Të paktën nëse flasim për shfrytëzimin e lejeve të dhëna subjekteve vit pas viti.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë vetëm në datë 29 shtator të këtij viti ka lëshuar të paktën 11 njoftime për nisjen e proceduarve të revokimit për një seri minierash në vend ndërsa në total lejet e revokuara nga fillimi i vitit kanë arritur 26.
Shkak për revokimin në grup të 11 lejeve të fundit duket se ka të bëjë mungesa e aktivitetit minerar për një kohë të konsiderueshme. Pra subjektet që janë mbajtës të këtyre lejeve minerare kanë pushuar aktivitetin në minierë për më shumë se një vit. Kjo në fakt është arsyeja dominuese në rastet e fundit.
Për disa raste të tjera duket se shkak është bërë mospërmbushja e planeve të investimit që kompanitë që kanë përfituar lejet kanë premtuar se do të bënin në këto miniera. Lejet minerare të revokuara së fundmi janë për miniera në Bulqizë, Kukës, Librazhd, Lezhë, Përrenjas.
Më herët gjatë këtij viti Ministria revokoi disa lejë për shkak se kompanitë nuk kishin bërë bërë pagesat e garancisë financiare për rehabilitimin për vitin 2024.
Kjo pagesë sanksionohet me ligj dhe duhet të paguhet çdo vit nga ana e kompanive që zotërojnë një leje minerare mbi një zonë të caktuar. Kjo shumë parash që duhet të sigurohet nga kompania në mënyrë që të përdoret për të kthyer në gjendjen e mëparshme terrenin.
Gjatë 2024-ës MIE revokoi 19 leje minerare ku përveç arsyeve të lidhura me mos ushtrimin e aktivitetit dhe pagesës së garancisë kishte edhe raste të mospërmbushjes së detyrimit që lidhet me planin e punës apo kur subjektet kanë bërë deklarime të pasakta pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve të Natyrës. Pra deklarimet nuk përputheshin me situatën faktike në terren ku subjekti ushtronte aktivitetin.