gështënja

“Buka në rrem” që tërheq turistë të huaj në Tropojë

Gështenja të pjekura, shoqëruar me një gotë verë pranë oxhakut, janë ritual në shtëpitë e banorëve të Tropojës – qytet në verilindje të Shqipërisë.

Tropoja ka masivin më të madh të gështenjave në Ballkan prej rreth 2.800 hektarësh.

Të moçmit i kanë quajtur “buka në rrem”, “drunj të bekuar” apo “pemë e bukës për të varfrit”, pasi kanë qenë ndër ushqimet kryesore në sofrat e tyre, por u kanë siguruar edhe të ardhura përmes shitjes.

Ato i plotësojnë edhe kërkesat për eksport, por, prej më shumë se dy vjetësh, prodhimi i tyre ka rënë për 50-60 për qind.

Insekti aziatik përgjysmon prodhimin e gështenjës

Përgjysmimi i prodhimit të gështenjës ishte edhe arsyeja përse Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë, FAO, nisi një projekt si pjesë të iniciativës globale “Një vend, një produkt prioritar” dhe Shqipëria përzgjodhi gështenjën.

Agim Pepkolaj, drejtues projekti nga Zyra e FAO-s në Shqipëri, thotë se grera aziatike ka dëmtuar rëndë masivin me gështenja, duke rrezikuar të dëmtojë edhe turizmin dhe ekonominë lokale.

“Është një projekt që ka nisur prej dy vjetësh në Tropojë. Projekti ka parashikuar disa aktivitete, ku ndër më kryesoret mund të përmendim zbatimin e një programi të kontrollit biologjik për të luftuar grerën aziatike dhe menaxhimin e dëmtuesve dhe sëmundjeve”, thotë Pepkolaj.

“Aktualisht, projekti ka realizuar një laborator në Tropojë për rritjen e një insekti të dobishëm, pasi kjo është forma e vetme për ta trajtuar këtë problematikë, për ta luftuar insektin aziatik që po dëmton gështenjat”, sipas tij.

Pepkolaj shton se insekti aziatik mund ta dëmtojë deri në 80 për qind prodhimin e gështenjës, ndërsa zgjidhja e plotë e kësaj situate mund të kërkojë deri në tetë vjet kohë.

Rëndësia e gështenjës për zonën e Tropojës

Si banor i kësaj zone, por edhe si ekspert i zhvillimit rural, Pepkolaj e njeh mirë rëndësinë e këtij druri frutor për banorët e Tropojës.

Gështenja ka qenë ndër breza një ushqim i rëndësishëm, ndërsa përmes shitjes dhe eksportit banorët kanë siguruar të ardhura për familjet e tyre.

“Nëse dëmtohet ky produkt, dëmtohet ekonomia e banorëve të këtyre fshatrave, kështu që zgjidhja e problematikës është prioritet”, thotë Pepkolaj.

Gështenja konsumohet e pjekur apo e zier. Ajo përdoret, gjithashtu, për të bërë bukë të veçanta me miellin e saj në raste festash apo për mikpritjen e miqve.

“Banorët e kësaj zone janë ushqyer me të. Aktualisht, prej saj bëhen edhe salca për të shoqëruar ushqime të tjera, ëmbëlsira, supë me gështenja, por mund të bëhen edhe kremra, torta dhe gjalpë gështenje”, shpjegon Pepkolaj.

Për ta shtuar më tej këtë vlerë, ai thotë se FAO-ja parashikon të bëjë një investim në Tropojë për përpunimin e gështenjës në produkte të reja – çfarë do t’i rriste ekonomitë e vogla familjare.

 

Pamje nga fshati Palç, ku ndodhet bujtina e Afrim Gjergjit.
Pamje nga fshati Palç, ku ndodhet bujtina e Afrim Gjergjit.

Afrim Gjergji nga Tropoja thotë se gështenja është produkti kryesor në sofrën e shtëpisë së tij, të kthyer në bujtinë.

“Gështenjat e Tropojës janë të njohura për cilësinë e tyre. Kushdo që vjen ta vizitojë bujtinën, do t’i provojë gështenjat, të pjekura apo të ziera apo edhe në forma të tjera”, thotë Gjergji.

“Kohëve të fundit ka mungesë, për shkak të një insekti. Shpresoj që të zgjidhet shumë shpejt, sepse masivi i gështenjave është unik. Ulja e prodhimit e ka ndikuar ekonominë tonë”, thotë ai.

Çdo vit, në fund të tetorit, në Tropojë organizohet “Dita e gështenjës” – një festë për promovimin e këtij fryti, e që shërben edhe për të diskutuar se si mund të ndihmohet në prodhimin dhe përpunimin e tij.

Tropoja është e njohur edhe për mjaltin e gështenjës.

“Shtegu i gështenjave” synohet të kthehet në destinacion

Një ndër aktivitetet e tjera të projektit të FAO-s është promovimi i “Shtegut të gështenjave”, i cili synon ta kthejë zonën e Nikaj Mërturit në Tropojë dhe vetë Tropojën në një nga destinacionet kryesore turistike të Malësisë së Gjakovës.

Masivi i rrallë i gështenjave shihet si një mundësi e mirë për të tërhequr edhe turistë, që do të ndihmonin në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre zonave të thella, të cilat, pas viteve ’90, thuajse janë braktisur.

Për shkak të mungesës së një perspektive, banorët kanë lëvizur drejt zonave urbane të zhvilluara, por edhe kanë emigruar jashtë Shqipërisë.

“Bukuritë e këtyre zonave, masivi me gështenja 500-600-vjeçare janë një pasuri nga e cila duhet të përfitojnë banorët vendas, por duhet ta zbulojnë dhe shijojnë edhe turistët”, thotë Pepkolaj.

Komunikimi me qytetarët ka treguar se, fatkeqësisht, kjo nuk njihet si zonë, edhe pse ka një larmi resursesh dhe atraksionesh, thotë ai, duke shtuar se pjesë e projektit të FAO-s është edhe promovimi i atij që quhet “Shtegu i gështenjave”.

“Është një udhëkalim prej 4-5 ditësh mes maleve për të pasionuarit pas hajkingut. Gjatë rrugës mund të qëndrosh në bujtina, stane, mund të vizitosh kulla, liqene, lumenj, shpella, e natyrisht të shijosh mikpritjen dhe ushqimet tradicionale”, thotë specialisti i FAO-s.

Se “Shtegu i gështenjave” nuk njihet apo vlerësohet nga vendasit e thotë edhe Gjergji, banor i fshatit Palç të Tropojës.

Ai thotë se vizitorët kryesorë të tij janë turistët e huaj.

“Prej tetë vjetësh e kam hapur bujtinën dhe vizitorët janë kryesisht turistë të huaj. Vijnë nga Anglia, Zelanda e Re, Zvicra, Italia”, tregon Gjergji.

Ai është ndër të paktët banorë që nuk u larguan nga fshati Palç, pasi rreth 95% e braktisën atë.

Thotë se, së voni, në fshatin e tij janë kthyer gjashtë familje dhe se e njëjta gjë po ndodh edhe në fshatra të tjera pranë.

Nxitjen për ta kthyer shtëpinë në bujtinë thotë se e ka marrë nga Ndoc Mula, alpinist – një prej adhuruesve të natyrës së egër të veriut të Shqipërisë dhe promovimit të saj – i cili humbi jetën në malin e Munellës tre vjet më parë.

“Ka qenë miku im Ndoc Mula, i cili më shtyu ta hap bujtinën në shtëpinë time të vjetër karakteristike prej guri. Kam vizituar çdo fshat të zonës Nikaj Mërtur bashkë me të. Dhe, në çdo bisedë, fliste për potencialin e madh që ka zona për të zhvilluar turizëm”, kujton Gjergji.

Çfarë ofron “Shtegu i gështenjave”?

Pepkolaj thotë se “Shtegu i gështenjave” ofron një shumëllojshmëri destinacionesh dhe burimesh të rralla natyrore dhe një mundësi për të vizituar një nga perlat e Alpeve Shqiptare.

“Nis nga lugina e Komanit, lumi i Shalës… Është një ndër atraksionet më të bukura. Pjesë e turit janë fshatrat: Salcë, Lekbibaj, Curraj, Velisht, Briskë, Palç e deri në Markaj. Është e gjitha me masive gështenjash mbi 500-600-vjeçare. Pjesë e turit janë edhe vizitat në ferma dhe stane, kalimi përmes shtigjesh që ofrojnë peizazhe fantastike”, shpjegon Pepkolaj.

Sipas tij, kjo është edhe zona me përqendrimin më të madh të bletërritësve në veri të Shqipërisë.

Sa i përket ushqimit, sigurisht që është tradicional, thotë ai.

Vendet që vizitohen përmes këtij shtegu, variojnë nga 200 deri në 1.200 metra mbi nivelin e detit.

Pjesë e këtij shtegu është edhe fshati Palç, ku Gjergji e ka kthyer shtëpinë në bujtinë, e gjithashtu e ka zgjeruar edhe stanin e tij për të mirëpritur turistë.

“Gjatë qëndrimit në bujtinë dhe në stan, turistët vizitojnë fermën ku mbaj kafshë të ndryshme, si: lopë, pula, dele, derra. Ushqimi që iu ofrohet turistëve, është tradicional, si: flija, maza, djathërat e mishi i ndryshëm, sikurse edhe produktet bujqësore që i marr nga një sipërfaqe prej tre dynymësh që e mbjell dhe e punoj bashkë me anëtarët e familjes sime”, tregon Gjergji.

Në stanin e tij në bjeshkë thotë se çdo 14 korrik pret banorë të zonës, në një takim brezash, në përkujtim të Betejës së Palçit kundër osmanëve më 1910.

Edhe ky takim shërben për të folur për investimet në turizëm, për të ringjallur kullat e shtëpitë prej guri e për të shijuar natyrën magjepsëse.

Gjergji thotë se turistët e huaj e adhurojnë bjeshkën.

“Ata që zgjedhin ta vizitojnë stanin në bjeshkë, mrekullohen me natyrën. Bëjnë ngjitje në mal, adhurojnë jetën e egër të maleve. Zona është e pasur me kafshë të egra. Nëse ngjitesh në mal, do të shohësh dhi të egra, kaproj, derra të egër… Fatmirësisht, nuk ka gjueti të paligjshme, ne i ruajmë kafshët, bimët, gjithçka që na ka falur natyra”, thotë Gjergji.

E, natyra u ka falur edhe ujëvara, lumenj me vaska natyrore dhe shpella të rralla, ku, siç thotë, bora nuk shkrihet kurrë.

Edhe Gjergji, edhe Pepkolaj thonë se një infrastrukturë më e mirë, mund të ndihmojë më shumë.

Banorët e zonës, kërkesë kryesore kanë infrastrukturën rrugore, thotë Pepkolaj, duke shtuar se destinacionet janë fantastike, por se qasja në rrugë automobilistike është e vështirë.

Ai tregon se disa zona janë edhe të rrezikshme, ndaj sinjalistika është e domosdoshme.

Problem është, po ashtu, mungesa e energjisë elektrike, të cilin disa prej banorëve e kanë zgjidhur me panele diellore.

evropaelire

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top