Draghi

Draghi: Ekonomia e Europës përpara një krize “ekzistenciale”

A do të jenë sipërmarrjet në Europë në varësi prej konkurrencës nga Amerika e Veriut dhe Azia? Ish-shefi i Bankës Qendrore Europiane (BQE) Mario Draghi në analizën e tij nxjerr një konkluzion të qartë.

“Europa e ka humbur revolucionin digjital të shkaktuar nga interneti si dhe fitimet në produktivitet që lidhen me të”, konstaton në raportin e tij ish-kreu i BQE-së, Mario Draghi. Presidentja e Komisionit të BE-sëUrsula von der Leyen e pati autorizuar 77 vjeçarin Draghi që të bëjë një analizë të aftësisë konkurruese të BE-së. Në të Draghi tërheq vëmendjen, se Bashkimi Europian është i dobët në teknologjitë e reja, që do të nxisin rritjen e ardhëshme ekonomike. Vetëm katër nga 50 sipërmarrjet e mëdha të teknologjisë janë firma europiane.

Në sfondin e konkurrencës nga SHBA dhe Kina ish-kryeministri i Italisë, Draghi vëren, se europianët ndodhen përpara një “sfide ekzistenciale”. Pa produktivitet më të lartë Europa nuk mund “të jetë lider në fushën e teknologjive të reja, as një fanar në përgjegjësinë për klimën dhe një aktore e pavarur në skenën botërore”. Edhe modeli social europian nuk mund të financohet më. Shkruan italiani në analizën e tij strategjike.

“Investimet masive detyrimisht të nevojshme”

Draghi i bën thirrje BE-së për investime masive në ekonomi, mbrojtje dhe mbrojtjen e klimës. Të nevojshme janë edhe “investime minimale vjetore shtesë në vlerën 750 deri në 800 miliardë euro”, këshillon ai. Për t’ia arritur këtij qëllimi ish-shefi i BQE-së rekomandon marrjen e borxheve të reja në bashkësi ashtu sikurse u veprua së fundi në rastin e pandemisë së koronavirusit.

Edhe presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen i konsideron instrumentat për financimin e bashkësisë si të rëndësishme. Por është i mundur edhe përdorimi i mjeteve financiare të vendeit përkatës, ku bëjnë pjesë doganat e importeve dhe kuotizacioni në BE për plastikën, tha von der Leyen e pyetur lidhur me rezistencën e qeverisë gjermane kundër borxheve të reja në bashkësi. Lidhur me këtë duhet të vendosin vendet anëtare të BE-së.

jatë kohës së pandemisë BE organizoi një paktë ndihme të financuar me kredi në vlerën e 750 miliardë eurove. Vendet si Italia dhe Franca qysh atëherë kërkojnë një paketë të re duke iu referuar rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen dhe mbrojtjen e klimës. Por Gjermania dhe Holanda borxhet e reja në bashkësi i konsiderojnë si vijë të kuqe.

“Politika për klimën duhet të koordinohet më mirë”

Duke iu referuar sektorëve me emisione gazrash të dëmshme për klimën si në industrinë e rëndë dhe transport, Draghi rekomandon për BE-në, që ta rregullojë më mirë politkën për klimën. Nëse të gjitha masat politike harmonizohen me objektivat për klimën, është “shumë e mundshme, që pakësimi i emisioneve të dioksidit të karbonit, dekarbonizimi në atmosferë, të jetë një shans për rritjen ekonomike”, tha ai në një konferencë shtypi.

Von der Leyen dëshiron që ta bëjë BE-në me programin Green Deal deri në vitin 2050 neutrale ndaj klimës, kjo do të thotë, që Europa të mos emetojë më më shumë gazra të efektit serë nga sa mund të kursejë. Përpara zgjedhjeve për Parlamentin e BE-së politikania kristiandemokrate gjermane, von der Leyen, në qershor e ndodhur nën presionin e konservatorëve dhe liberalëve, deklaroi se do të bëjë disa lëshime lidhur me kushtet e vendosura për mjedisin.

DW

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top