Vilma dhe Greta Zenelaj, kineaste shqiptaro-amerikane nga Vlora që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Los Angeles, po sjellin në ekran një histori të papërfolur më parë për Nënë Terezën. Ato janë themeluese të kompanisë filmike Colored Films LLC, një nga kompanitë e para shqiptare të prodhimit në Hollywood.
Motrat Zenelaj kanë nisur rrugëtimin e tyre artistik me projekte të pavarura si komedia “What Do I Do Now?” dhe trilleri “In the Woods”, të cilët janë shfaqur në festivale ndërkombëtare dhe kanë fituar çmime të ndryshme.
Projekti i tyre më i ri, “Gonxhe”, fokusohet te fëmijëria e Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, para se ajo të bëhej Nënë Tereza dhe të nisë misionin e saj në Indi. Filmi është i konceptuar si një “coming-of-age”, që tregon formimin e saj, ndikimin e familjes dhe rritjen shpirtërore, duke ofruar një perspektivë më të thellë dhe njerëzore të figurës ikonike.
Në intervista, Vilma dhe Greta kanë treguar se synimi i projektit është të sjellin një histori më pak të njohur për jetën e hershme të Nënë Terezës, pasi shumica e filmave ekzistues fokusohen kryesisht te misioni i saj në Kalkutë.
Aktualisht, filmi ndodhet në fazën përgatitore, dhe janë duke u shqyrtuar lokacione xhirimi në Shkup dhe Shkodër, që ofrojnë peizazhe historike dhe autentike për të reflektuar periudhën e fëmijërisë së Anjezës.
