DIELLA

Ëndrra në Diella: përse korrupsioni nuk luftohet me Inteligjencë Artificiale

Dr. Kostina Prifti

Me përjashtim të lajmeve mbi emigrimin dhe aferat kriminale, të rejat nga Shqipëria janë virtualisht inekzistente në mediat europiane. Megjithatë, lajmi për lindjen e Diellës arriti të eklipsojë të rejat e zakonshme, duke marrë qendrën e skenës.

Interesi i publikut mbi promovimin e Diellës është i kuptueshëm. Asnjë vend i BE nuk ka tentuar të ngrejë idenë e një sistemi të inteligjencës artificiale (IA) në një funksion ministror, qoftë edhe në mënyrë metaforike.[1] Përkundrazi, përfshirja e IA në procese të administratës publike është shoqëruar me gabime, skandale, dhe – si pasojë – skepticizëm të vazhdueshëm. Pas skandalit të ashtëquajtur “Toeslaggenaffaire”, qeveria holandeze u detyrua të japë dorëheqjen pasi sistemi IA kishte gabuar në detyrat e tij të përcaktimit të benefiteve sociale për shtresat në nevojë. Gjithashtu në Austri implementimi i një IA në administratën publike, me qëllim parashikimin e mundësive të punësimit për grupe të caktuara, u konstatua si diskriminues ndaj grave dhe personave me aftësi të kufizuara.

Aftësitë teknike të IA karakterizohen ende nga limitimet shembujve negativë të mësipërm. Pikërisht për këtë arsye lajmi i ardhur nga Shqipëria as nuk mund të merrej seriozisht, as nuk mund të injorohej. Nuk mund të merret seriozisht sepse çdo ekspert i informuar mbi potencialin e IA kupton që premtimet mbi këtë sistem mbeten ëndrra në Diella. Por ama nuk mund të injorohen për shkak të pasojave që sjell implementimi i këtij sistemi në administratën shtetërore. Domeini i prokurimeve shërben si një shqetësim i shtuar.

Diskutimi në fjalë përbëhet nga dy lloj problematikash. I pari është aspekti teknik. Këto sisteme shoqërohen me probleme transparence dhe përgjegjësie, në lidhje me rrezikun e gabimeve të paverifikueshme dhe pakontestueshme. Së dyti janë këto problemet politike teknike, sistemi me IA mund të sjellin pasoja të rënda shoqërore dhe juridike dhe sociale, sidomos kur implementohen pa pasur mekanizmat e duhur për mbikëqyrje.

Pikëpyetja e parë lind nga funksionet aktuale të Diellës, që shërben si një chatbot. Këto të fundit kanë funksione gjenerimi të bashkëbisedimit të bazuar në modele të mëdha gjuhësore (MMGj, ose large language models). Por sistemet me IA vendimmarrëse bazohen në një tjetër lloj teknologjie nga chatbotët. Këto janë sisteme rregullash të paracaktuara (i.e., rule-based systems) ose në sisteme me mësim automatik (i.e., machine learning).

IA është një term i gjerë që fsheh dallime të mëdha aplikacioneve. Mund ta mendojmë kështu: një IA e bazuar në një MMGj është një asistent personal që përgatit për rehat dhe udhëtime të gjata. Kur dikush do të përdorë atë për vendimmarrje publike, është si të pretendojë të kthjejë këtë traktor në një traktor për arë. Vetura mund të ndihmojë traktorin që mund të lëvizë, por nuk është projektuar për brazda, për tërheqje peshe apo për punë të përsëritshme dhe të rregulluar sipas rregullave të sakta. Për këtë punë duhen mjete të veçanta. Një IA e bazuar në rregulla (rule-based), është si një makineri industriale që ndjek manualin pa devijuar, ose një IA me mësim automatik (machine learning), është si një traktor modern që mëson terrenin. Implementimi i IA-së në punën e shtetit, është si të përdorësh një traktor për prokurimet publike: nuk është shpjeguar përse duhet të funksionojë ai si traktor për prokurimet publike dhe jo si një traktor për e-albania do të bëjë.

Edhe sistemet IA më të avancuara vendimmarrëse janë të limituara nga aspekti teknik. Pra, edhe nëse …

Diellës do t’i ndryshohet qëllimi nga një chatbot në një IA vendimmarrës, ky shndërrim shoqërohet me problemet e veta teknike. Literatura dhe studimet mbi IA vendimmarrëse janë të qarta: këto sisteme vuajnë nga mungesa e transparencës dhe krijojnë boshllëqe në llogaridhënie, duke vështirësuar kontestimin e vendimeve. Problemet me transparencën lindin si pasojë e kompleksitetit të këtyre sistemeve. Ne mund të dimë me çfarë e furnizojmë sistemin (të dhënat) dhe çfarë del (rezultati/vendimi), por nuk dimë çfarë ndodh brenda sistemit i cili përpunon të dhënat për të nxjerrë një rezultat.

Është provuar që sisteme të ngjashme kanë marrë shpesh vendime të gabuara, duke dëmtuar individë dhe grupe të ndryshme. Mjafton të shohim shembullin holandez, ku një sistem IA, me më pak të drejta vendimmarrje se çështjet promovuar për Diellën, shkaktoi dëme financiare dhe personale ndaj mijëra individëve, gjë që çoi në dorëheqjen e qeverisë. Kombinimi i marzhit të gabimit me mungesën e transparencës e bën të vështirë kontestimin e vendimeve të këtyre sistemeve, duke sjellë një situatë mungese llogaridhënie.

Një rrezik tjetër për qytetarët është mundësia e manipulimit të sistemit. Ky shqetësim ka vlerë të shtuar duke konsideruar kontekstin politik në Shqipëri. Korrupsioni dhe përdorimi i posteve publike për përfitim personal jo vetëm që nuk mund të luftohen me një sistem IA, por rrezikojnë të përforcohen duke i përdorur për të kamufluar veprimet korruptive si vendime objektive të IA. Ky shqetësim, i kombinuar me mungesën e transparencës së IA dhe marzhit të gabimeve që i karakterizon, mund të sjellë një situatë ku sistemit IA, Diellës, i hidhet përgjegjësia e gabimeve për çdo prokurim që, bie fjala, është nën hetim nga BKH-ja. Në të njëjtën kohë, eksperienca e organeve ligjzbatuese për hetimin dhe gjykimin e rasteve ku përfshihet IA është shumë e vogël. Kjo mungesë ekspertize thellon hendekun e llogaridhënies në implementimin e këtyre sistemeve.

Në shembujt e ngjashëm në Europë, IA futet si zgjidhje për eficencë, për të përshpejtuar procedurat dhe për të kursyer kohë. Por pas premtimit teknik shpesh fshihet një kosto e lartë shoqërore: diskriminimi dhe anshmëria shfaqen si efekte anësore të heshtura. Ndërkohë, në Shqipëri, promovimi i Diellës është paraqitur si armë kundër korrupsionit, duke premtuar paanshmëri dhe rigorozitet. Ky është një premtim i pazakontë dhe pothuajse i paprovuar në praktikë. Në të vërtetë, sistemet e IA preferohen për shkak të eficencës, ndërsa anshmëria dhe marzhi i gabimeve janë limitimet dhe të metat e tyre kryesore. Për këtë arsye, implementimi i një IA në administratën publike, sidomos në domenin e prokurimeve, është një proces që kërkon vëmendje institucionale dhe garanci juridike. Në mungesë të këtyre themeleve për një funksionim të përgjegjshëm, IA mund të përkeqësojë realitetin vendimmarrës dhe të shërbejë si pengesë për luftën ndaj korrupsionit.

[1] Dekreti i Presidentit për emërimin e Diellës në funksion ministër duket të jetë në kundërshtim me kërkesën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që shprehet se një nga kushtet për të qenë ministër është mosha 18 vjeç. Ky fakt mund të paraqitet përpara Gjykatës Kushtetuese nga grupe të caktuar, si përshëmbull 1/5 e deputetëve të Kuvendit, për të shfuqizuar atë pjesë të dekretit si antikushtetues. Në atë rast Diella përsëri mund të ketë të njëjtat funksione vendimmarrëse për prokurimet publike, por duke u implementuar në përgjegjësinë e një ministrie.

*Postdoctoral researcher
Convergence Centre for Responsible AI in Healthcare

Junior Fellow Centre on Digital Governance
Erasmus School of Law

Erasmus University Rotterdam. Opinionet i përkasin autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin e Revistës Monitor.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top