Një mozaik, dyshemeja e një vile të lashtë romake, është zbuluar në shtratin e detit në ujërat e Napolit.
Dyshemeja prej mermeri, fillimisht do të ishte vendosur në verandën e dekoruar të një rezidence me pamje nga deti, sipas një postimi në Facebook nga Parku Arkeologjik “Campi Flegrei”, i cili është pjesë e Ministrisë së Kulturës italiane.
Ndërtuar në qytetin antik të spa-ve Baiae, i cili ishte populluar gjatë Perandorisë së vonë Romake dhe ishte shtëpi e rezidencave të zotëruara nga Jul Cezari dhe perandori Nero, vila është pjesë e një toke që u zhyt, si rezultat i një fenomeni gjeologjik, të quajtur bradizizëm, gjatë të cilit toka ngrihet ose, si në këtë rast, bie për shkak të presionit nën sipërfaqe. Hulumtimet paraprake tregojnë se dyshemeja është bërë kryesisht nga copa mermeri të ripërdorur në formë të parregullt, një teknikë që ishte e zakonshme nga shekulli III deri në V të erës sonë, sipas Parku Arkeologjik Campi Flegrei.
Mermeri është thyer, sepse muret e dhomës, të cilat ishin më shumë se 10 metra të larta, u rrëzuan në dysheme, thuhet në deklaratën e parkut. Puna nënujore vazhdon për zbulimin dhe restaurimin e pjesës më të madhe të dyshemesë, ndërsa disa pjesë janë hequr dhe pastruar në tokë.
“Qëllimi është të përpiqemi të rindërtojmë një pjesë të tërë të dyshemesë”, sipas postimit.
Kryebashkiaku lokal Josi Gerardo Della Ragione e quajti gjetjen “mahnitëse” në një postim në Facebook. Dyshemeja do të ishte hedhur në fund të Perandorisë Romake, “pak përpara se bradizizmi t’i sillte këto mrekulli në fund të detit”, tha ai.