Nvidia tashmë është kompania më e vlefshme në botë. Drejtuesi i saj, Jensen Huang, thotë se vazhdon të punojë çdo ditë, madje edhe gjatë festave dhe se jeton në një “gjendje të vazhdueshme ankthi” nga frika se një ditë gjithçka mund të zhduket.
Në një intervistë, Huang pranoi se për 33 vite rresht është udhëhequr nga ndjenja se kompania është “30 ditë larg falimentimit”. Sipas tij, pavarësisht suksesit të jashtëzakonshëm, ndjesia e pasigurisë dhe vulnerabilitetit nuk i është larguar kurrë.
Nvidia, që filloi si prodhuese kartash grafike është shndërruar në një fuqi të madhe të teknologjisë globale dhe motorin kryesor të zhvillimit të inteligjencës artificiale. Muajin e kaluar, kompania u bë e para në histori që arriti vlerësimin prej 5 trilionë dollarësh. Por Huang thotë se kjo nuk e ka qetësuar aspak.
Ai zbuloi se punon shtatë ditë në javë, çdo ditë të vitit, duke filluar që në orën 4 të mëngjesit me email-et: “Asnjëherë nuk kam munguar. As në Ditën e Falënderimeve, as në Krishtlindje.”
Frika e dështimit – motivimi më i madh i Huang
Huang tregoi edhe për një situatë kritike në mesin e viteve ’90, kur Nvidia rrezikoi seriozisht të mbyllej pasi teknologjia e saj e parë doli e gabuar. Ai fluturoi drejt Japonisë për t’i thënë CEO-s së Sega-s se produkti nuk funksiononte dhe se duhej anuluar, ndërkohë që Nvidia kishte nevojë urgjente për 5 milionë dollarët e fundit të kontratës për të mos falimentuar. Sega vendosi t’i kthente paratë në investim, duke i dhënë kështu jetë kompanisë.
Për Huang, këto përjetime të dhimbshme janë pjesë e udhëtimit të suksesit: “Sakrificat dhe momentet e vështira të bëjnë ta vlerësosh edhe më shumë momentin kur gjërat ecin mirë.”
Ai ka thënë më herët se i uron studentëve të Stanford “mjaft dhimbje e sfida”, sepse sipas tij, rezistenca dhe suksesi lindin pikërisisht në këto kushte.
“Unë jam më shumë i shtyrë nga frika e dështimit sesa nga dëshira për të arritur më shumë,” tha ai.
Huang shtoi se të dy fëmijët e tij, Madison dhe Spencer, të dy në të 30-at, punojnë në Nvidia dhe kanë të njëjtin ritëm intensiv pune. Fillimisht ata ndjekën rrugë të tjera profesionale, por më pas iu bashkuan kompanisë si praktikantë në 2020 dhe 2022.
“Tani jemi tre persona që punojmë çdo ditë”, tha ai me humor, duke theksuar se ritmi i punës në familjen e tij është shumë i lartë.
