Lindar Kaja është një regjisor i ri shqiptar, i cili me pasionin e tij për filmin dhe teatrin, është një shembull për artistët e rinj. Kinemaja është një fushë me sfida të mëdha, që nga nevoja për krijimtari, financat e kufizuara dhe rreziku i përdorimit të gabuar të inteligjencës artificiale. Ndaj, regjisorë si Kaja, të cilët i japin rëndësi këmbënguljes në punë dhe vlerave humane, nevojitet të dëgjohen e mbështeten më shumë. Ne kemi zhvilluar një intervistë me të rreth rrugëtimit, sfidave dhe prioriteteve të tij.
Z. Kaja, Lindar, ju jeni pjesë e një brezi të ri artistësh që po përpiqen të ndërtojnë zërin e tyre në kinemanë dhe teatrin shqiptar. Si lindi pasioni juaj për artin dhe çfarë ju shtyu ta ndiqnit si rrugë profesionale?
Si shumë njerëz që kanë pasur ëndrra të mëdha që në fëmijëri, edhe unë kisha timen: të bëhesha aktor. Kam lindur dhe jam rritur në Bulqizë, deri në moshën 18-vjeçare. Ndoshta ajo klimë e ftohtë, ajo ajër i pastër e i ashpër i vendlindjes, më ndihmonte të ëndërroja më shumë.
Në shkollë merrja pjesë në konkurse, fitoja çmime të para, por për familjen time kjo nuk mjaftonte. Si çdo prind, edhe ata mendonin për “më të mirën” për djalin e tyre – mjekësi ose financë. Por unë e ndjeja fort se rruga ime ishte arti.
Ishte xhaxhai im, vëllai i babait, ai që më dha shtytjen e parë duke më ndihmuar të përgatitesha për konkursin e Akademisë së Arteve. Konkurova dhe dola i pari. Që nga ai moment, edhe prindërit e mi u kthyen në mbështetjen time më të madhe – moralisht dhe financiarisht – në rrugën e gjatë të dijes dhe artit.
Formimi juaj në Turqi, në Universitetin Anadolu, përbën një etapë të rëndësishme të karrierës suaj. Çfarë mësuat nga ajo eksperiencë ndërkombëtare dhe si ka ndikuar në mënyrën si e shihni sot skenën shqiptare?
Gjithçka nisi nga dëshira për të bërë diçka ndryshe. Aplikova për bursa në disa vende dhe fitova në tre prej tyre. Zgjodha Turqinë, sepse kinematografia atje po zhvillohej me një ritëm të jashtëzakonshëm, dhe mundësitë për të ndërtuar një karrierë ishin më të mëdha.
Pas fitimit të bursës, nisa të kërkoj universitetin e duhur. Nuk ishte e lehtë – shumë universitete nuk kishin kuota për studentë të huaj në aktrim. Kjo më bëri të ndryshoj drejtim dhe të zgjedh regjisë për master. Fitova në Universitetin “Anadolu”, një ndër më të vjetrit dhe më prestigjiozët në Turqi.
Aty u formësova si profesionist. Falë bazës së fortë që kisha nga Akademia e Arteve në Shqipëri dhe pedagogëve të mi, si Niko Kanxheri dhe i ndjeri Xhevdet Feri, e kisha më të lehtë të ece përpara.
Në Turqi mësova shumë jo vetëm nga auditorët, por edhe nga jeta reale. Puna si asistent regjisor në disa telenovela turke ishte si një shkollë më vete. Ishte e vështirë – ndonjëherë u shërbeja ujë aktorëve me të cilët ëndërroja të luaja. Por çdo eksperiencë më mësonte diçka.
Kur pandemia ndërpreu projektet ku do të luaja, vendosa të kthehem në Shqipëri, i mbushur me dije, përvojë dhe dëshirë për t’i sjellë ato këtu. U ktheva me bindjen se rrënjët e tua janë gjithmonë forca më e madhe për të ndërtuar diçka të qëndrueshme.
Keni eksperimentuar me disa role – si aktor, regjisor dhe ndihmës regjisor në projekte si “2 Gisht Mjaltë” dhe “Falli”. Si e përjetoni këtë proces të të mësuarit nga çdo pozicion brenda një produksioni filmik?
Kur u ktheva në Shqipëri, ishte si të nisesha nga fillimi. Por siç ka njerëz që të mbyllin rrugën, ka edhe duar që të ndihmojnë të ngjitesh.
Pas disa vitesh mungesë, u riktheva në skenë me monodramën “Duan të Fluturojnë”, me regji të Klesta Sheros. Më pas, mora pjesë në shfaqjen “Tre Dimrat” me regji të Rozi Kostanit.
Ndërkohë, punoja si asistent regjisor në produksione të huaja që xhiroheshin në Shqipëri, si “2 Gisht Mjaltë”, me regji të Emir Khalilzade, dhe në disa projekte të tjera.
Nga bashkëpunimi me Marjana Kontin u përfshiva në filmin “Falli”, ku producenti Marius Dervishi më propozoi të isha vetë regjisor. Filmi pati sukses, pavarësisht buxhetit të kufizuar.
Më pas fitova fondin për të rinjtë në fushën e teatrit, ku vura në skenë “Le Horla”, një monodramë konceptuale me koreografi. Në Akademinë “Klea Huta”, me regjinë e Elona Hysenit, realizova shfaqjet “Aventurat e Maceve të Egra” dhe “Dua”, ndërsa me Florjan Binajn shfaqjen “Komshinjtë”, e cila udhëtoi në disa qytete të Shqipërisë.
E pranoj që ndonjëherë ndihem i shpërndarë mes filmit dhe teatrit, por i dua të dyja. Teatri është nëna e aktrimit dhe e regjisë. Aty është baza, energjia, frymëzimi. Regjia dhe aktrimi janë si dy dashuri të ndryshme – njëra kërkon përqendrim në vetvete, tjetra të detyron të mendosh për të gjithë.
Së fundmi, më erdhi propozimi nga Rike Roçi për të bërë regjinë e filmit të saj të parë një bashkëpunim me producente Eriola Doçi “ADN”, që aktualisht po shfaqet në Cineplexx. Ishte një vit pune intensive – nga skenari deri te miksazhi final. Një eksperiencë e vështirë, por jashtëzakonisht e bukur. Çdo projekt të mëson diçka të re, dhe vështirësitë janë ato që të formësojnë si artist.
Për shumë artistë të rinj, krijimi i një filmi është një ëndërr që përballet me realitete të vështira – financiare, logjistike, apo edhe mungesë mbështetjeje institucionale. Si e përballoni ju këtë pjesë të procesit krijues?
Unë besoj shumë në Zot. Ajo që të është shkruar, do të jetë e jotja – por është në dorën tënde se si zgjedh ta marrësh.
Është e vërtetë që kinematografia shqiptare ka ende shumë kufizime dhe problematika. Por unë nuk zgjedh të ulem e të ankohem. Zgjedh të punoj, të përballem me vështirësitë dhe të kërkoj zgjidhje.
Në botë, shumë të rinj marrin një kamerë telefoni dhe nisin të eksperimentojnë. Ky është fillimi. Më mirë të bësh diçka, sado e vogël, sesa të mos bësh asgjë.
Ka një shprehje që më pëlqen shumë:
“Një atlet nuk do të të gjykojë kurrë për ditën tënde të parë në palestër.
Një shkrimtar nuk do të gjykojë librin tënd të parë.
Një muzikant nuk do të gjykojë notën tënde të parë.
Ata që gjykojnë janë ata që s’kanë bërë asgjë me jetën e tyre.”
Prandaj, më mirë provo, edhe nëse rrëzohesh. Vështirësitë të cungojnë përkohësisht, por të forcojnë në afatgjatë. Puna sot është investimi që të çliron nesër.
Në ndërtimin e një filmi, një ndër sfidat më të ndjeshme është përzgjedhja e aktorëve. Si i gjeni personazhet e duhur dhe çfarë kërkoni më shumë tek një aktor që zgjidhni për projektet tuaja?
Zgjedhja e aktorëve nuk është gjithmonë në dorën e regjisorëve. Shpesh ndikojnë buxheti, marketingu, apo emrat që “shesin bileta”.
Në këto raste, përpiqem ta çoj rolin drejt aktorit, ta përshtas në mënyrë që të nxjerr më të mirën nga ai personazh.
Një regjisor turk me të cilin kam punuar më ka thënë një fjali që më ka mbetur në mendje:
“Nuk ka aktor të keq, ka regjisor të keq.”
Detyra e regjisorin është të gjejë rrugën e duhur për ta çuar aktorin drejt rolit.
Kur zgjedh një aktor, vëzhgoj psikofizikun e tij, mënyrën si reagon, energjinë që transmeton. Për mua, përputhja shpirtërore me rolin është po aq e rëndësishme sa talenti vetë.
Sot kinemaja po përjeton një transformim të madh për shkak të teknologjisë. Si i shihni këto zhvillime, përfshirë përdorimin e teknikave të reja vizuale apo Inteligjencës Artificiale në industrinë filmike? A mendoni se mund të pasurojnë krijimtarinë apo ta zbehin ndjeshmërinë artistike?
Teknologjia ka sjellë mundësi të mëdha. Inteligjenca Artificiale, efektet vizuale, mënyrat e reja të montazhit – të gjitha janë mjete që mund të ndihmojnë rrëfimin artistik. Por ato duhet përdorur me masë.
Nëse humbasim ndjeshmërinë njerëzore në proces, atëherë arti kthehet në mekanizëm. Për mua, zemra e filmit është emocioni që përcjell te publiku – e kjo nuk mund të programohet.
Pra, po, teknologjia mund ta pasurojë krijimtarinë, nëse ajo mbetet në shërbim të shpirtit të historisë, e jo anasjelltas.
Si e shihni të ardhmen e kinemasë shqiptare dhe vendin tuaj brenda saj? A besoni se brezi juaj mund të sjellë një frymë të re në mënyrën si tregohen historitë shqiptare në ekran?
Unë e shoh që po nis një vrull i madh në prodhimin e filmave shqiptarë, dhe kjo është diçka shumë pozitive. Ka një lëvizje, një dëshirë të re për të krijuar. Megjithatë, për të qenë i sinqertë, mendoj se në shumë raste cilësia ende lë për të dëshiruar. Por fakti që po prodhohen shumë filma është një shenjë e mirë — një fillim i ri për gjëra të bukura që mund të vijnë.
Besoj se brezi im ka përgjegjësinë dhe mundësinë të sjellë një frymë të re, më të guximshme dhe më të sinqertë në mënyrën si tregohen historitë shqiptare. Ne duhet të dalim nga kornizat e ngushta, të kërkojmë më shumë vërtetësi, emocione njerëzore dhe histori që flasin për realitetin e sotëm shqiptar, por me një gjuhë filmike që komunikon edhe me botën.
Personalisht, dua të jem pjesë e këtij ndryshimi — të kontribuoj me projektet e mia në ngritjen e standardit dhe në ndërtimin e një kinemaje që të ketë zë, identitet dhe shpirt shqiptar.
Çfarë do t’u thonit të rinjve që ëndërrojnë të bëhen pjesë e botës së filmit? Cili është mesazhi juaj për ta si artist dhe si njeri që e njeh nga afër bukurinë dhe sfidat e kësaj rruge?
Do t’u thosha të mos ndalen kurrë së ëndërruari, por mbi të gjitha të mos ndalen së punuari për ëndrrën e tyre. Arti nuk është një rrugë e lehtë – shpesh të vendos përballë zhgënjimeve, dyshimeve, e vështirësive – por është një rrugë që të jep kuptim, nëse e do me shpirt.
Në këtë profesion nuk ka formula magjike. Ka vetëm punë, disiplinë, durim dhe shumë dashuri për atë që bën. Mos prisni që dikush t’ju japë mundësinë – krijojeni vetë. Merrni një kamerë, një telefon, një ide, dhe filloni. Mos kini frikë nga dështimet, sepse çdo dështim është një hap më pranë suksesit.
Mbi të gjitha, mos e humbni veten në rrugëtimin drejt suksesit. Qëndroni të sinqertë me vetveten dhe me artin tuaj. Sepse në fund, ajo që i jep vlerë një artisti nuk është fama apo duartrokitjet, por mënyra se si ai arrin të prekë shpirtin e tjetrit.
