marrëdhënie

Marrëdhënia punëdhënës-punëmarrës: Një balancë e sinqertë, e drejtë dhe e qëndrueshme

Nga Aurela Murati

Të jesh pjesë e Burimeve Njerëzore është një nga rolet më të bukura, por edhe më të ndjeshme brenda një organizate. Sepse është pikërisht ky funksion që krijon urën e besimit midis punëdhënësit dhe punëmarrësit.

Ne, profesionistët e burimeve njerëzore, nuk merremi vetëm me dokumentacion, kontrata apo rregullore. Përkundrazi, roli ynë është shumë më i gjerë:

  • Kujdesemi për çdo detaj, sado i vogël, për të përmbushur të gjithë “mozaikun” e funksionimit të kompanisë.
  • E ndjekim një punonjës që nga momenti që ai i bashkohet organizatës, e deri në ditën që largohet.
  • Ndërtojmë kulturën e bashkëpunimit, mbështetjes dhe përkatësisë në grup.
  • Jemi zëri i punëmarrësve tek punëdhënësi dhe zëri i punëdhënësit tek punëmarrësit.
  • Jemi si “amortizatorët” që përpiqen ta mbajnë situatën të qetë, produktive dhe të ndershme për të dyja palët.

Por, për të ndërtuar një marrëdhënie të shëndetshme dhe të suksesshme, është thelbësore që të dyja palët të kenë pritshmëri të qarta dhe të strukturuara. Mungesa e kësaj qartësie shpesh sjell zhgënjime, tensione dhe largime të panevojshme.

Çfarë kërkon punëdhënësi nga punëmarrësi?

Nga përvoja ime disa-vjeçare, këto janë pritshmëritë më të zakonshme që kanë punëdhënësit ndaj punonjësve të tyre:

  • Qëndrim pozitiv dhe sjellje profesionale.
  • Respektim i orarit dhe përpikmëri.
  • Pamje e përshtatshme sipas politikës së kompanisë.
  • Zhvillim i vazhdueshëm profesional dhe gatishmëri për të mësuar.
  • Besueshmëri dhe etikë në punë.
  • Mbështetje për kolegët e rinj dhe frymë bashkëpunuese.
  • Komunikim i shkëlqyer me klientët, kolegët dhe eprorët.
  • Largim nga thashethemet dhe negativiteti.
  • Dëshirë për të ndjekur vizionin e kompanisë.
  • Proaktivitet dhe ide të reja për përmirësim.

Çfarë kërkon punëmarrësi nga punëdhënësi?

Nga ana tjetër, punonjësit kanë pritshmëri të qarta dhe legjitime nga organizata ku punojnë:

  • Pagë e drejtë dhe benefite të qarta.
  • Balancë jetë – punë, për shëndet mendor dhe mirëqenie.
  • Mundësi për të ushtruar talentin e tyre, jo vetëm për të ndjekur urdhra.
  • Siguri dhe stabilitet në vendin e punës.
  • Mjedis përfshirës, të hapur dhe të barabartë për të gjithë.
  • Qëllime të qarta dhe transparencë në drejtim.
  • Lidership të drejtë dhe kompetent.
  • Respekt reciprok dhe vlerësim për kontributin e tyre.
  • Liri për të shprehur mendime dhe për të kontribuar.
  • Vizion afatgjatë të kompanisë, që t’i japë kuptim punës së përditshme.

Fjala Marrëdhënie është bashkim i dy fjalëve të kundërta Marrje dhe Dhënie, por vlera e saj është ekulibir që prodhon me punëdhënësit dhe punëmarrësit

Një marrëdhënie funksionon vetëm kur të dyja palët japin dhe marrin. Kur ka ekuilibër. Kur ekziston një ndjeshmëri për të kuptuar jo vetëm të drejtat e tua, por edhe përgjegjësitë ndaj palës tjetër. Në një marrëdhënie pune, nëse njëra palë vetëm jep pa marrë, ose vetëm merr pa dhënë, atëherë bashkëpunimi prishet, besimi zbehet dhe qëllimet e përbashkëta humbasin.

 

Shpesh, në takime apo biseda informale me kolegët, dëgjojmë zhgënjime nga të dyja palët. Kjo ndodh për një arsye të thjeshtë: pritshmëritë nuk janë komunikuar apo kuptuar qartë.

Ndaj, për të shmangur keqkuptimet dhe për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme, është thelbësore që të dyja palët:

  • Të kenë pritshmëri të mirëpërcaktuara;
  • Të jenë të gatshme të japin dhe jo vetëm të marrin;
  • Të kenë komunikim të vazhdueshëm dhe të sinqertë;
  • Të respektojnë kufijtë dhe përgjegjësitë e njëri-tjetrit.

Sepse në fund të fundit, marrëdhënia e punës është një marrëdhënie njerëzore. Ajo nuk ndërtohet vetëm mbi kontrata, por mbi mirëkuptim, etikë dhe bashkëpunim.

 

Të jesh pjesë e Burimeve Njerëzore është të jesh ambasador i dy botëve ku suksesi është catia e tyre,  ndaj detyra jonë është të sigurojmë që kjo marrëdhënie të jetë sa më e drejtë, sa më e hapur dhe sa më e qëndrueshme.

Nëse secila palë e di se çfarë duhet të japë dhe çfarë ka të drejtë të presë, atëherë bashkëpunimi është më i suksesshëm, më i shëndetshëm dhe më jetëgjatë.

 

Shikojeni dhe në këtë këndvështrim, si tablo të plotë e jo të cunguar Ti Punëdhënës dhe Ti punëmarës!

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top