“Gjykata Administrative e Apelit la në fuqi vendimin e Gjykatës Administrative të shkallës së parë për mosndërtimin e hidrocentralit të Poçemit”, tha përmes një deklarate të mërkurën organizata mjedisore “Eco Albania”, e cila së bashku me disa organizata mjedisore dhe një grup banorësh të fshatit Kutë ishin palët paditëse.
Sipas gjykatës, ndërtimi i Hidrocentralit të Poçemit në Lumin Vjosë ndikon negativisht në mjedisin dhe jetën e banorëve të fshatit Kutë dhe zonës përreth dhe zbatimi i projektit nuk duhet të bëhet. “Ky vendim shënon fitoren përfundimtare të çështjes së parë mjedisore të trajtuar nga gjykata në Shqipëri”, shprehet organizata “Eco Albania”.
“Vendimi përbën një arritje për komunitetin e banorëve që mbrojtën të ardhmen e tyre dhe është një inkurajim për t`i dërguar në gjykatë shqetësimet që banorët kanë edhe në zona të tjera natyrore në Shqipëri”, i tha Zërit të Amerikës përfaqësuesi i ”Eco Albania”, Olsi Nika, duke kujtuar se “banorët e anës Vjosës që prekeshin nga ndërtimi i hidrocentralit të Poçemit për shkak të përmbytjes së tokave zhvilluan tetë vite më parë protesta kundër projektit dhe më pas e dërguan çështjen në gjykatë, të përkrahur dhe nga disa organizata mjedisore vendase dhe ndërkombëtare”.
Qeveria shqiptare mori korrikun e vitit 2015 një vendim mbi hidrocentralin e Poçemit për të pranuar një koncesion 35-vjeçar të pakërkuar nga një kompani turke duke i akorduar asaj 8 pikë bonus në tenderin që u zhvillua më vonë. Projekti fillestar, parashikonte një fuqi të instaluar prej 50 MW dhe prodhim vjetor prej 200 milionë kwh.
Hidrocentrali i Poçemit ishte pjesë e një programi teknik që synonte të shfrytëzonte kaskadën e lumit Vjosa për prodhimin e energjisë elektrike në Shqipëri. Kaskada e Vjosës sipas projektit të hartuar para viteve ’90, lejonte ndërtimin e nëntë hidrocentraleve nga kufiri 350 metra mbi nivelin e detit ku Vjosa hyn në territorin e Shqipërisë deri në kuotën 9 metra mbi det pranë Selenicës në rajonin e Vlorës.
Një tjetër Hidrocentral mbi Lumin Vjosë, ai i Kalivacit në rrethin e Tepelenës, është braktisur nga punimet ndërtuese pas problemeve të Kompanisë që kishte fituar koncesionin.
Shpallja e Lumit Vjosa Park Kombëtar një vit më parë rriti shkallën e mbrojtjes duke frenuar ndërtimin e hidrocentraleve të vegjël dhe me diga të mëdha që parashikoheshin të cënonin atë që konsiderohet si “Lumi i egër i Europës”.