Një padi kolektive nga më të mëdhatë që është ngritur ndonjëherë në sektorin europian të mikpritjes po vjen nga mbi 10 mijë hotele në Europë ndaj platformës së njohur të prenotimeve online Booking.com. Ata e akuzojnë kompaninë për përdorimin e pozitës së saj dominuese për të shtrembëruar tregun dhe për të dëmtuar interesat e hoteleve gjatë një periudhe prej 20 vitesh.
Shoqata Europiane e Hoteleve, Restoranteve dhe Kafeneve (Hotrec), e cila përfaqëson industrinë në nivel të Bashkimit Europian dhe po udhëheq këtë padi, njoftoi se ka shtyrë afatin për t’u bashkuar me padinë deri më 29 gusht, për shkak të interesit të lartë nga hotelierët.
Padia, e cila do të zhvillohet në Amsterdam, mbështetet gjithashtu nga 30 shoqata kombëtare hotelerie, përfshirë edhe atë britanike.
“Sot janë mbi 10 mijë hotele që janë bashkuar me nismën gjithëeuropiane për të kërkuar kompensim për humbjet financiare të shkaktuara nga klauzolat e paligjshme të ‘çmimit më të mirë’ (ose klauzolat e paritetit) që përdori Booking.com,” thuhet në një deklaratë të Hotrec. Sipas saj, kjo klauzolë i detyronte hotelet të mos ofronin çmime më të ulëta në asnjë platformë tjetër, përfshirë edhe faqet e tyre zyrtare.
Industria e hotelerisë akuzon gjithashtu Booking.com për pengimin e rezervimeve të drejtpërdrejta nga klientët, të cilat i cilësonte si “përdorim pa pagesë” të shërbimeve të saj, pra raste kur përdoruesit gjenin hotelin përmes Booking.com por më pas prenotonin direkt me hotelin, duke anashkaluar komisionet e platformës.
“Numri i regjistrimeve në këtë padi është në rritje të qëndrueshme, dhe reagimi i deritanishëm tregon qartë se industria e mikpritjes është e vendosur t’i japë fund praktikave të padrejta në tregun digjital,” thekson më tej Hotrec.
Padia mbulon periudhën nga viti 2004 deri në vitin 2024, kur Booking.com hoqi klauzolën e çmimit më të mirë për të përmbushur kërkesat e Aktit për Tregjet Digjitale të Bashkimit Europian. Hotrec theksoi se kjo padi vjen pas një vendimi të Gjykatës Europiane të Drejtësisë në vitin 2024, i cili vlerësoi se klauzolat e paritetit të përdorura nga Booking.com binin në kundërshtim me ligjin europian të konkurrencës.
“Hotelierët europianë prej kohësh vuajnë nga kushte të padrejta dhe kosto të tepruara. Tani është momenti të bashkohen dhe të kërkojnë drejtësi,” deklaroi presidenti i Hotrec, Alexandros Vassilikos, duke denoncuar “praktikat abuzive në tregun digjital”.
Nga ana tjetër, Booking.com ka reaguar duke i cilësuar deklaratat e Hotrec dhe të shoqatave të tjera hotelierë si “të pasakta dhe të gënjeshtërta”, duke shtuar se nuk ka marrë ende “njoftim zyrtar për një padi kolektive”.
Kompania tha se vendimi i Gjykatës Europiane nuk arriti në përfundimin se klauzolat e çmimit më të mirë ishin antikonkurruese, por vetëm se ato bien në fushën e veprimit të ligjit të konkurrencës të BE-së dhe se duhet të vlerësohen rast pas rasti.
Booking.com deklaroi më tej se “klauzolat e paritetit, në të kaluarën, ndihmuan në nxitjen e konkurrencës së çmimeve dhe jo në kufizimin e saj”, dhe përmendi një sondazh ku 74% e hotelierëve thanë se Booking.com e kishte bërë biznesin e tyre më fitimprurës, duke sjellë më shumë prenotime dhe ulje të kostove për sigurimin e klientëve.
Megjithatë, përfaqësues të tjerë të industrisë e kritikuan kompaninë për politika që i konsiderojnë shfrytëzuese.
“Me kalimin e viteve dhe rritjen e fuqisë së saj në treg, Booking rriti normat e komisioneve dhe ushtroi presion gjithnjë e më të madh mbi fitimet e hotelierëve,” u shpreh Véronique Siegel, presidente e sektorit të hoteleve në shoqatën franceze të mikpritjes Umih, për transmetuesin publik France Inter.
“Nëse një klient paguan 100 euro për një dhomë, pas zbritjes së komisionit të Booking, hotelieri përfiton më së shumti 75 euro, me të cilat duhet të paguajë punonjësit dhe të investojë.”
Pavarësisht pakënaqësive, Booking.com mbetet thuajse e pashmangshme për shumë hotele, duke ofruar një shtrirje dhe dukshmëri që është e vështirë për t’u arritur nga hotelet e vogla apo të pavarura.
Një studim i përbashkët i Hotrec dhe Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Zvicrën Perëndimore tregoi se në vitin 2024, Booking Holding – kompania mëmë e Booking.com, kontrollonte 71% të tregut europian të prenotimeve online, krahasuar me 68.4% në vitin 2019.
Me një vlerë tregu prej 170 miliardë dollarësh, kompania vlerësohet tri herë më shumë se gjigandi gjerman i makinave Volkswagen.
Rupprecht Podszun, drejtor i Institutit për Ligjin e Konkurrencës në Universitetin Heinrich Heine të Düsseldorf-it, tha se Booking.com është një shembull klasik se si një platformë digjitale mund të zotërojë një sektor të tërë, duke krijuar një situatë ku “fituesi i merr të gjitha”.
Sipas tij, procesi gjyqësor do të jetë i gjatë dhe sfidues, me pikën më të vështirë qëndruar te mënyra se si do të maten dëmet ekonomike.
“Gjykatësit do të duhet të formojnë një mendim dhe më pas çështja do të kalojë nëpër të gjitha shkallët e apelimit ku do të jetë gjithçka me kosto të larta dhe me të gjitha mjetet ligjore në dispozicion,” tha ai për gazetën gjermane Süddeutsche Zeitung.
“Kjo është një kryengritje e hoteleve, një mesazh i qartë: ‘Nuk mund të silleni me ne si të doni.’”