Në fillim të çdo viti, shumica prej nesh përpiqet të ndryshojë, të ushtrohet më shumë, të hajë më shëndetshëm apo të reduktojë stresin. Një element i rëndësishëm për mirëqenien tonë është krijimtaria dhe arti, por shpesh anashkalohet. Studimet tregojnë se angazhimi në aktivitete artistike si leximi, muzika, këndimi, vallëzimi, artizanati apo pjesëmarrja në evente kulturore ka efekte të drejtpërdrejta dhe të provuara shkencërisht në shëndetin mendor dhe fizik.
Por arti nuk ndihmon vetëm në trajtim, ai ka edhe rol parandalues. Njerëzit që shkojnë rregullisht në teatër, koncerte, muze, galeri apo kinema e kanë gati të pamundur të kenë depresion. Kjo nuk lidhet vetëm me faktin se këta persona mund të jenë më të pasur apo më të shëndetshëm; efektet mbeten edhe kur merren parasysh faktorët socialë, stili i jetesës dhe madje gjenetika.
Arti e mban trurin “më të ri”
Angazhimi i rregullt në aktivitete artistike ndërton atë që quhet “rezervë njohëse”, aftësinë e trurit për t’u mbrojtur nga rënia kognitive. Edhe në rastet kur shfaqen shenja patologjike të demencës, truri i personave aktivë në art arrin të kompensojë për më gjatë.
Hulumtimet tregojnë se njerëzit që lexojnë, luajnë instrumente, krijojnë ose marrin pjesë në aktivitete kulturore plaken më ngadalë nga ana njohëse, performojnë më mirë në teste mendore dhe kanë rrezik më të ulët për demencë.
Arti ndikon pothuajse në çdo sistem fiziologjik. Këndimi përmirëson kapacitetin e mushkërive; vallëzimi ul tensionin e gjakut dhe nivelin e glukozës; aktivitetet artistike forcojnë sistemin imunitar dhe ulin inflamacionin. Studime të reja sugjerojnë madje se arti ndikon edhe në shprehjen e gjeneve, duke e “ngadalësuar” orën biologjike të plakjes.
Pesë mënyra konkrete për ta futur artin në jetën tuaj në 2026
1. Përdorni muzikën dhe librat për të përmirësuar humorin
Zëvendësoni alarmin e mëngjesit me një këngë dhe shmangni navigimin për e lajmeve në internet gjatë udhëtimit. Zgjidhni libra dhe muzikë që qëndrojnë mes të njohurës dhe sfidueses.
2. Dedikoni 30–60 minuta në javë për krijimtari
Vizatim, shkrim kreativ, punë artizanale apo mësimi i një instrumenti .
3. Vizitoni ekspozita
Mos u përpiqni të shihni gjithçka. Është më mirë të përjetoni disa vepra me vëmendje të plotë sesa të shikoni gjithë ekspozitën me nxitim.
4. Përdorni ritmin për të përmirësuar stërvitjen
Muzika me ritëm mund t’ju bëjë të vraponi më gjatë, të ushtroheni më fort dhe të ndjeni më pak lodhje. Praktikisht, muzika vepron si një stimulues performance.
5. Lejoni veten të luani dhe të imagjinoni
Loja nuk është vetëm për fëmijët. Teatri amator, lojërat me role apo festivalet ndihmojnë trurin të zhvillojë fleksibilitet mendor dhe aftësi për t’u përshtatur me ndryshimet.
Arti nuk është një ilaç universal, arti është kthyer në një pikë shpëtimi për njerëz që kanë kaluar momente të vështira. Nëse një medikament i ri do të ofronte të gjitha këto përfitime, me siguri do të ishte shumë i kërkuar. Megjithatë, ne ende e shohim artin si luks.
Ndoshta 2026 është viti për ta ndryshuar këtë këndvështrim.
