Serxhio Lika

Serxhio Lika, studenti me rezultate të larta, që u punësua nga studio ligjore britanike sapo u diplomua

Serxhio Lika ka bërë një rrugëtim mbushur me sakrifica, por me plot besim në karrierën e tij në fushën e drejtësisë në Britaninë e Madhe.

“Gjithçka filloi para pesë viteve. Ishte vetëm një ide e thjeshtë, një mendim i vogël që më ndiqte kudo. Më pas, u kthye në një dëshirë që nuk me linte rehat, e më vonë një realitet”, thotë ai. Realiteti i tij: sot ka përfunduar studimet në një nga universitetet më prestigjioze të Britanisë, në “University of Sunderland” me rezultate të shkëlqyera.

Shumë studentë në fillimet e tyre sot, mund të gjejnë veten tek hapat e parë të z.Lika, me pikëpyetje dhe mall për shtëpinë. Ai tregon për ne, se, “si çdo fillim, nuk ishte aspak e lehtë. Sfidat më të mëdha ishin të mësoja gjuhën angleze në një nivel akademik dhe të kuptoja kulturën, zakonet, sistemin dhe mënyrën se si funksionon jeta ketu. Me duhej kohë. Më duhej durim. Më duhej forcë. M’u desh gati një vit që të ndihesha si në shtëpi, por kur e arrita, nuk u ndala më.

Jeta universitare është një botë më vete. Vetëm ata që e kanë përjetuar e kuptojnë ndjenjën. Të ngarkuar me detyra, angazhime, projekte e provime, por edhe me mundësi të arta për t’u zhvilluar. Në vitin tim të fundit, pata nderin të mbaja rolin e zëvendës kryetarit të Shoqatës së Avokatëve në Universitet. Por, angazhimi im nuk u kufizua vetëm aty. Kam marrë pjesë në konferenca ndërkombëtare, si ajo e OKB në New York, ku u vleresova me një çmim të veçantë”.

Ai ka qenë pjesë e studios ligjore të universitetit, ku ka punuar me raste reale dhe ka kontribuar në komunitet. Në fund të studimeve, ai ka arritur vlerësimin më të lartë që mund të fitojë një student, First Class Honours (Diplome me rezultate të shkëlqyera). Ai u nderua me dy dekorata të rëndësishme nga firma ligjore më e madhe në qytetin e Sunderlandit, Sweeney Miller Law për studentin me rezultatet më të larta dhe më përkushtimin më të madh në Departamentin Juridik. Kjo firmë i ofroi edhe një vend pune, ku sot punon si jurist dhe ka një mundësi të hapur karriere.

Synimi i tij për të ardhmen: Të bëhet një avokat i suksesshëm në të drejtën tregtare dhe ndërkombëtare. Në muajin shtator do të filloj studimet në mastër për të zgjeruar dijet dhe përvojën time, e për t’u përgatitur për hapat që e presin më tej.

Mesazhi i tij për studentët e rinj është: ëndërroni jetën që doni dhe mos ndaloni derisa ta bëni realitet. Asgjë nuk vjen lehtë. Askush nuk do t’jua japë gjërat gati. Por, nëse punoni fort, nëse nuk dorëzoheni, nëse i besoni vetes, atëherë çdo ëndërr bëhet e mundur. Është rrugëtimi juaj ai që ju ndërton si njeri dhe sfidat janë prova që ju bëjnë më të fortë. Pas katër vitesh, mund të them me zemër të hapur, nuk ka ndjenjë më të fortë sesa ajo që ke kur mbyll një kapitull të rëndësishëm me sukses dhe nder.

Ndoshta jo të gjithë kanë mundësitë që pata unë, por dua ta them qartë, asgjë nuk më është falur. Kam punuar ditë e natë, kam sakrifikuar kohë, kam përballuar lodhje, dyshime, madje edhe mosbesim nga disa. Por, kurrë nuk kam ndaluar. E sot, rezultati është një ndjenjë që nuk përshkruhet me fjalë, por vetëm me emocionin e një njeriu që e di se ka dhënë gjithçka”.

Serxhio beson, se më shumë se universiteti, është përkushtimi yt, ambicia dhe besimi që ke tek vetja që të bën të suksesshën. Sipas tij, “çdo student ka mundësinë të shkëlqejë, kudo që ndodhet, në cilindo universitet apo degë që ka zgjedhur. Nëse do të kisha një fjali për bashkëmoshatarët e mi dhe për ata që po nisin tani rrugëtimin e tyre studentor, ajo do të ishte kjo: Mos prisni ditën perfekte, sepse perfeksioni nuk vjen vetvetiu, ai ndërtohet. Bëjeni çdo ditë një hap më afër ëndrrës suaj. Çdo përparim, sado i vogël, ka vlerë. Siç thonin filozofët e lashtë grekë: jeta nuk është ajo që thjesht ndodh, por ajo që zgjedhim të bëjmë më të”.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top