Shqipëria ka shënuar një hap të rëndësishëm në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, pasi Këshilli i BE-së miratoi çeljen e negociatave për tetë kapituj të Grupimit 3, përfshirë Kapitullin 29 mbi Bashkimin Doganor. Komisioni Europian vlerëson përparimin e Shqipërisë në përafrimin me acquis të BE-së dhe thekson detyrimet e mbetura për të arritur standarde të plota të unionit doganor.
Këshilli i Bashkimit Europian ka miratuar më 8 Maj qëndrimin e përbashkët të BE-së për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë mbi 8 kapituj të rinj të Grupimit të 3: Konkurrueshmëria dhe Rritja Gjithëpërfshirëse, duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm përpara në negociatat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ky grup përfshin rritjen gjithëpërfshirëse për mirëqenie dhe përfitim të të gjitha fushave, mes të cilave edhe Kapitullin 29, Bashkimi Doganor.
Në dokumentin e publikuar nga Komisioni Europian pas përfundimit të Konferencës së Katërt Ndërqeveritare midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë në Bruksel, për Kapitullin 29 – Bashkimi Doganor, nënvizohet se, BE-ja mirëpret përparimin e Shqipërisë në përafrimin me acquis të BE-së në fushën e bashkimit doganor. BE-ja e vlerëson Shqipërinë për përparimin në përafrimin e legjislacionit të saj me acquis të BE-së, veçanërisht në lidhje me kodin doganor dhe garanton që standardet, tërësinë dhe përmbajtjen e të drejtës doganore të BE-së të jenë të zbatueshme në Shqipëri. Në këtë drejtim, BE-ja nxit Shqipërinë të vazhdojë përpjekjet e saj për të përmbushur detyrimet e mbetura të përafrimit dhe zbatimit të drejtës doganore të BE-së.
BE-ja nënvizon rëndësinë e përmirësimit të mëtejshëm të përafrimit të Shqipërisë me acquis të BE-së, në veçanti, Shqipëria duhet të përfrojë legjislacionin e saj lidhur me statusin doganor të mallrave, transitin, menaxhimin e riskut doganor dhe aspektet e sigurisë, mallrat kulturore, kontrollin e pasaktë dhe parandalimin e drogave. Tarifat e skanimit që aplikohen për kryerjen e kontrolleve doganore duhet të hiqen, pasi skanimi duhet të trajtohet si kontroll i zakonshëm doganor dhe jo si shërbim i ofruar nga autoriteti doganor.
BE-ja mirëpret kapacitetin adekuat administrativ dhe operacional të Shqipërisë për të përmbushur kërkesat ekzistuese doganore. BE-ja e fton Shqipërinë të forcojë më tej ndërtimin e kapaciteteve dhe rekrutimin e stafit përpara anëtarësimit, në veçanti në fushën e Teknologjisë së Informacionit (IT). BE-ja nënvizon nevojën që Shqipëria të vazhdojë të zhvillojë dhe përmirësojë sistemet ekzistuese IT, në përputhje me Planin Shumëvjeçar Strategjik për Doganat Elektronike, për të rritur ndërveprueshmërinë dhe integrimin me sistemet e BE-së dhe përgatitjen për anëtarësim. BE-ja kujton nevojën që Shqipëria të alokojë burime të mjaftueshme financiare për të gjitha projektet IT në vijim dhe ato të planifikuara.
BE-ja mirëpret ekzistencën e strukturave dhe masave kundër korrupsionit në Shqipëri për luftën kundër korrupsionit në sistemin doganor. BE-ja mirëpret gjithashtu përpjekjet e Shqipërisë për të forcuar luftën kundër mashtrimeve doganore, veçanërisht kundër kontrabandës së produkteve të duhanit. BE-ja vë në dukje nevojën për standarde të integritetit profesional dhe kundër korrupsionit të bazuar në meritokraci dhe integritet etik të zyrtarëve doganorë. BE-ja sheh nevojën që Shqipëria të ketë kapacitet të mjaftueshëm për funksionimin e strukturave përkatëse, përfshirë të Administratës Doganore, si dhe infrastrukturën e nevojshme për të kryer kontrolle doganore për të zbatuar dhe përforcuar legjislacionin.
BE-ja kërkon të kontrolluar dhe mbikëqyrur në mënyrë efektive lëvizjet ndërkufitare. BE-ja vëren që Shqipëria po shqyrton ratifikimin e Protokollit të Konventës Kuadër të OBSH për Eliminimin e Tregtisë së Paligjshme të Produkteve të Duhanit.
Acquis i bashkimit doganor përbëhet nga një legjislacion i cili është i drejtpërdrejtë i detyrueshëm për vendet anëtare. Ai përfshin Kodin Doganor të BE-së dhe dispozitat e tij zbatuese, nomenklaturën e kombinuar, tarifën e përbashkët doganore, aspekte të tjera si dispozitat për klasifikimin e tarifës, lëshimin e taksës doganore, origjinën jo-preferenciale të mallrave, rregullat për llogaritjen e vlerës për tarifë, si dhe dispozita të tjera, si ato për kontrollin doganor të mallrave të falsifikuara, lëndët e para për prodhimin e drogëve, eksportimin e mallrave kulturore, si dhe për ndihmën e ndërsjellë administrative në çështjet doganore dhe të tranzitit.