Shumica e bizneseve nisin me një shkëndijë, një ide e lindur nga nevoja, rezistenca apo vendosmëria. Sfida e vërtetë nuk është nisja, por ruajtja e kësaj energjie teksa biznesi rritet dhe shkallëzohet. Në këtë udhëtim, roli i themeluesve dhe udhëheqësve është përcaktues. Paradoksi është se të njëjtat vlera, autenticitet dhe stil që ndezin vrullin fillestar, mund të bëhen pengesë nëse nuk përshtaten me fazën e rritjes. Në fazat e para të rritjes, figura si Steve Jobs, Jeff Bezos apo Sara Blakely nuk ishin thjesht drejtues, por forca shtytëse që përcaktuan drejtimin, energjinë dhe ambicien e kompanive që ndërtuan. Ata shtyjnë ekipet të mendojnë ndryshe, të veprojnë me guxim dhe të japin më të mirën. Por ky stil udhëheqjeje nuk funksionon për të gjithë dhe nuk është i mjaftueshëm në çdo fazë të zhvillimit. Kompanitë e suksesshme e kuptojnë se, kur kalojnë nga ideja në ekzekutim dhe më pas në shkallë reale, edhe udhëheqja duhet të evoluojë.
Me rritjen vjen kompleksiteti, dhe me kompleksitetin rreziku për të humbur pikërisht atë që e bëri biznesin të suksesshëm që në fillim. Megjithatë, është e mundur të shkallëzosh pa humbur as shpejtësinë dhe as energjinë që e karakterizon fazën e hershme të një kompanie.
Në fazat e para, kultura e një kompanie shpesh reflekton drejtpërdrejtë vlerat, stilin dhe pasionin e themeluesit. Ajo funksionon kur udhëheqësit rekrutojnë njerëz që bashkohen rreth një vizioni të qartë dhe punojnë drejt një qëllimi të përbashkët. Po aq të rëndësishëm janë edhe ata që sfidojnë situatën aktuale që shtyn ekipet të mendojnë ndryshe dhe të mos bien në rehati.
Suksesi nuk mund të mbështetet te një individ i vetëm. Për të menaxhuar rritjen dhe për të nxitur inovacionin, nevojiten dy profile kyçe, udhëheqës që ofrojnë drejtim dhe besim, dhe sipërmarrës që lëvizin shpejt dhe ndihen rehat me rrezikun dhe dështimin.
Kjo krijon terrenin për inovacionin. Me inteligjencën artificiale që po e zhvendos inovacionin drejt skajeve të organizatës, roli i udhëheqjes është të vendosë drejtimin dhe standardet, në mënyrë që shpejtësia të mos shndërrohet në kaos. Po aq i rëndësishëm është besimi. Askush nuk rrezikon apo eksperimenton në një kulturë ku dështimi ndëshkohet. Udhëheqësit që kërkojnë inovacion e shohin dështimin si një mundësi mësimi, jo si fund.
Lëviz shpejt dhe me vendim
Sipërmarrja e vazhdueshme kërkon një cikël funksional reagimi. Jo çdo iniciativë do të sjellë revolucion, dhe kjo është normale. Ajo që ka rëndësi është ta kuptosh shpejt. Testimi i shpejtë, prototipimi dhe vendimet e qarta për të vazhduar ose për të ndalur janë thelbësore për të ruajtur energjinë dhe fokusin.
Kjo kërkon udhëheqës që dëgjojnë, bashkëpunojnë dhe përpunojnë kontributin nga klientët, punonjësit dhe tregu, por që nuk ngecin në kërkim konsensusi. Vendimet e vonuara ose të paqarta dëmtojnë drejtpërdrejt shpirtin sipërmarrës.
Kultura e “dështimit të shpejtë” bëhet gjithnjë e më e vështirë për t’u ruajtur, sidomos kur rreziqet financiare rriten dhe presioni i investitorëve shtohet. Në praktikë, “dështim i shpejtë” shpesh perceptohet si “po dështojmë”. Por investitorët më të mirë nuk kërkojnë përsosmëri ata kërkojnë transparencë, llogaridhënie dhe mësime të qarta.
Shembujt janë të shumtë. Në ditët e para të Airbnb, një ide që funksionoi në shkallë të vogël u tregua e paqëndrueshme. Por nga ai dështim lindi një model i ri që u shndërrua në një avantazh konkurrues. Edhe aplikacioni Calm evoluoi nga një platformë e ngushtë meditimi në një ekosistem më të gjerë për shëndetin mendor, pikërisht sepse ekipi mësoi shpejt dhe u përshtat.
Shumë kompani fokusohen te shpërblimi i shitjeve dhe ofrimi i shërbimit. Por nëse vetëm këto fusha vlerësohen, aty përqendrohet e gjithë energjia. Inovacioni, sipërmarrja dhe nxitja e ideve të reja rrezikojnë të mbeten pas dore.
Stimulimi i inovatorëve nuk nënkupton shpërblim për çdo ide, por ndërtimin e një sistemi që mat ndikimin real, norma suksesi, ndikimi në të ardhura, reputacion dhe efikasitet. Me kriteret e qarta të performacësh të qarta dhe hapësirë për të ndarë histori reale , si fitore të mëdha ashtu edhe dështime të zgjuara krijohet një kulturë ku energjia sipërmarrëse përhapet në çdo departament.
Kur kjo funksionon, idetë rrjedhin, ekipet sfidojnë njëra-tjetrën në mënyrë produktive dhe karrierat përparojnë më shpejt. Disiplina nuk e vret shpejtësinë; përkundrazi, e forcon atë.
Kompanitë që ndërtojnë dhe ushqejnë këtë kulturë nuk do të mbijetojnë thjesht në një epokë ndryshimesh të vazhdueshme. Ato do të jenë forca që i udhëheqin ato.
