Ekranet dixhitale janë bërë pjesë e përditshmërisë, duke u përdorur jo vetëm në punë, por edhe në shtëpi apo shkolla. Sipas statistikave evropiane, rreth 30% e punonjësve të moshës 15-74 vjeç raportojnë se përdorin pajisje dixhitale gjatë gjithë ditës.
Ky ekspozim i vazhdueshëm mund të shkaktojë lodhje të syve, shikim të paqartë, dhimbje koke, dhe në disa raste edhe miopi, sidomos te fëmijët. Ja disa këshilla praktike për të reduktuar ndikimet negative të kohës para ekranit:
Ndiqni rregullin 20-20-20
Ekspertët rekomandojnë që çdo 20 minuta të bëni një pushim, duke përqendruar shikimin tuaj në një objekt që është të paktën 6 metra larg për 20 sekonda. Kjo ndihmon muskujt e syve të çlodhen dhe ul lodhjen.
Optimizoni ambientin tuaj të punës
Përdorni një monitor më të madh ose rrisni madhësinë e shkronjave në ekran. Rregulloni lartësinë e ekranit që të shikoni lehtësisht poshtë dhe mbajeni distancën e duhur prej rreth një krahu larg.
Shmangni përdorimin e tepërt të paisjeve teknologjike pas punës
Pas përfundimit të punës, kufizoni kohën e shpenzuar në telefon ose tableta. Në vend të tyre, përdorni një televizor për transmetime, pasi kjo ul lodhjen e syve. Për fëmijët, rekomandohet rregulli 20-20-20-2, duke shtuar edhe dy orë lojë jashtë çdo ditë.
Rregulloni rutinën para gjumit
Shmangni përdorimin e ekraneve një deri në dy orë para se të flini, pasi drita blu që ato lëshojnë mund të ndikojë negativisht në cilësinë e gjumit tuaj.
Shëndeti i syve në epokën dixhitale kërkon kujdes të veçantë dhe zakone të shëndetshme. Pushimet e rregullta, optimizimi i përshtatshëm i ambienteve dhe kufizimi i kohës para ekranit janë hapa të rëndësishëm për të mbrojtur sytë tuaj dhe të fëmijëve tuaj.