HR

Sipas profesionistes Aurela Murati Burimet Njerëzore janë art

Aurela Murati

Arti në Burime Njerëzore, një mënyrë e të jetuarit profesionin

Në botën moderne të biznesit, teknologjia dhe automatizimi po marrin gjithnjë e më shumë hapësirë, burimet njerëzore mbeten zemra e çdo organizate.
Por për mua, HR nuk është thjesht një profesion, është një formë arti.

Ashtu si një artist që i jep formë kanavacës së tij, edhe një profesionist i HR i jep formë mënyrës se si ndërtohet kultura e punës, si sillen njerëzit me njëri-tjetrin dhe si ndikojnë bashkëpunimet pa humbur objektivat.

HR është arti i balancës: të ndikosh pa u përfshirë emocionalisht, të udhëheqësh me ndjeshmëri pa devijuar nga rregullat, të krijosh harmoni pa humbur qëllimin.
Ashtu si çdo artist që gjen rrymën e vet edhe unë besoj se çdo profesionist i HR duhet të ndërtojë mënyrën e tij të të bërit burime njerëzore, duke e mbushur me dashuri, përkushtim, respekt për ligjin dhe njeriun.

 

Pse e dua HR-in

Ajo që më bën të dua këtë profesion është mundësia për të ndarë përvojën time dhe për të përcjellë tek të tjerët atë që ka funksionuar tek unë.
Rruga ime profesionale është ndërtuar me strukturë, disiplinë dhe dëshirë për të mësuar çdo aftësi që më ndihmon të bëj HR me dinjitet.

Gjithmonë i rikthehem një pyetjeje thelbësore:

“Si do të doja që të silleshin me mua?”

Kjo më ndihmon të ndërtoj një kulturë pune ku njerëzit ndihen mirë, ku ka humor dhe bashkëpunim, por ku fokusi dhe profesionalizmi nuk humbasin kurrë.

Shpesh i them vetes dhe kolegëve:

“Ne për këtë paguhemi. Kur është momenti për të qenë seriozë, duhet të jemi, pavarësisht miqësisë që kemi ndërtuar.”

Ky ekuilibër mes emocionit dhe përgjegjësisë është çelësi i suksesit në çdo organizatë.

 

Kujdesi për profesionin, si një pikë suksesi për mua dhe rritjen time profesionale

Ashtu si kujdesemi për trupin tonë me ushqim të shëndetshëm dhe aktivitet fizik, po ashtu duhet të kujdesemi për shëndetin e profesionit tonë.
Të ushqejmë mendjen me dije, përvojë dhe frymëzim.

Unë përpiqem ta bëj këtë çdo ditë, duke ndjekur me vëmendje mentoren time, Elida Motro, e cila ka ndikuar ndjeshëm në zhvillimin tim profesional dhe duke dëgjuar Simon Sinek, nga i cili marr ide dhe standarde që vlejnë në çdo kulturë pune.

Besoj se rrethi ku zgjedh të jesh pjesë si në forumet, komunitetet dhe grupet profesionale, është mënyra më e mirë për të ushqyer mendjen dhe për të rritur vlerën që sjell tek të tjerët.
Një HR që mëson vazhdimisht, është një HR që rritet bashkë me njerëzit që mbështet.

 

HR në syrin tim si bashkë-krijues i organizatës

Në rolin tim, përpiqem të mos jem thjesht “personi i dokumenteve” apo “administratori i hyrje-daljeve”.
Roli i vërtetë i HR-it është të jetë bashkë-krijues i kulturës organizative, një urë që lidh njerëzit me qëllimin e përbashkët.

Jam aty për të ndikuar në vendimmarrje, duke ndihmuar drejtuesit të jenë të vetëdijshëm për të drejtat dhe mirëqenien e punonjësve, dhe njëkohësisht për t’i ndihmuar stafin të kuptojë detyrimet që burojnë nga marrëdhënia e punës.
Vetëm kështu ndërtohet një kulturë e qëndrueshme, ku respektohen të dyja palët dhe ku secili e kupton rolin e vet në suksesin e përbashkët.

 

Kur me HR bëhet art

Në fund të ditës, burimet njerëzore janë art, sepse punojnë me ndjenjat, motivimin dhe shpirtin njerëzor.
Ashtu si një artist që krijon me pasion, edhe një profesionist i HR mund të ndërtojë një realitet më të mirë në vendin e punës, përmes mënyrës si dëgjon, si komunikon dhe si ndikon.

Të jesh në burime njerëzore do të thotë të krijosh një mënyrë pune që frymëzon me dashuri, përkushtim, profesionalizëm dhe respekt për ligjin dhe njeriun.
Sepse në fund, nuk ka art më të bukur sesa të punosh me njerëzit dhe për njerëzit.

Aurela Murati
Drejtore e Burimeve Njerëzore / Konsulente Burimesh Njerëzore/ Trajnere / Asistente CEO

E udhëhequr nga filozofia personale:

“Bëhu arsyeja që dikujt t’i ndryshojë jeta për mirë”  & “Ti je artist në profesionin tënd.”

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top