amberSearch

Sukses në tregun evropian. Startupi i themeluar nga shqiptari në Gjermani mbledh 2.1 milion euro për motorin e kërkimit të fuqizuar nga AI  

 

Start-upi i suksesshëm gjerman amberSearch, me bashkëthemeluesin shqiptar Igli Manaj, ka arritur hapin e radhës të suksesit, kësaj herë në tregjet e kapitalit.

amberSearch

amberSearch dhe motori i saj unik i kërkimit i fuqizuar nga inteligjenca Artificiale arritën të marrin një financim fillestar prej 2.1 milion euro nga firma e kapitalit Ventech, e njohur për portofolin e saj të gjerë në kompanitë teknologjike në Evropë si dhe në Azi. Financimi do t’i mundësojë amberSearch që të vijojë rrugën e saj të zhvillimit të agjentëve të Inteligjencës Artificiale që i përgjigjen në kohë reale kërkesa të bizneseve të vogla dhe të mesme. Ky start-up shihet si zgjidhja ideale e disponueshme për kompanitë e mesme që duan të jenë pjesë dhe të përfitojnë nga zhvillimet më të fundit në inteligjencën artificiale, pavarësisht burimeve të kufizuara në sistemet e tyre të Teknologjisë së Informacionit.

Pjesë e këtij suksesi është edhe Igli Manaj, bashkëthemelues dhe shefi teknologjik i kompanisë (CTO). Pas përfundimit të studimeve në gjimnazin “Sami Frashëri”, Igli vijoi rrugën e arsimit në Universitetin “RWTH Aachen” të Gjermanisë, ku u diplomua për Shkenca Kompjuterike. Prej katër vitesh Igli është përkushtuar për ta kthyer start-upin e tij në një nga më konkuruesit në Evropë.

Për Iglin arritja e këtij objektivi është një gur-themel në jetëgjatësinë e kompanisë, e cila me këtë raund financimi pozicionohet edhe më mirë, duke thithur talente të reja dhe shtuar kapacitetet, për të vijuar misionin:

“Inteligjenca Artificiale dhe ne vecanti ajo gjenerative jane zhvilluar me hapa të shpejtë në vitet e fundit. Në filozofinë tonë, integrimi i ketyre teknologjive në rrjedhën e përditshme të punës është jetik për të qëndruar kompetitiv në tregjet e sotme të cilat janë shumë më dinamike se dhjetë vite më parë.”

Sukses i ekselencës shqiptare në tregun më të madh të Europës

Në 2019-tën, ndërsa ChatGPT dhe Inteligjenca Artificiale ende nuk kishin pushtuar botën, Igli së bashku me dy kolegët e tij gjermanë, në inkubatorin e start-upeve të qytetit, kishin filluar punën për t’i ofruar tregut gjerman një produkt inovator. Koncepti ishte i thjeshtë: një motor kërkimi i integruar brenda kompanisë, që mblidhte të gjitha dokumentet elektronike nga një seri platformash duke i sistemuar në një arkivë të vetme digjitale. Njësoj si komandat që përdoruesit i japin ChatGPT-së, bizneset mund të kërkojnë në databazën e tyre për t’i dhënë zgjidhje të shpejta problemeve që hasin në operacionet e përditshme, p.sh. Shpesh projekte të reja nisin brenda kompanisë për të cilat nevojitet informacion nga eksperienca të ngjashme kryer më parë. amberSearch të ofron një pasqyrë me rezultate në disa sekonda të informacioneve që të interesojnë. Sot, amberSearch i ofron zgjidhje teknologjike 200 bizneseve të vogla dhe të mesme në Gjermani, Austri dhe Zvicër dhe ka mbi 30 punonjës. Në këtë start-up nuk mungon as ekselenca shqiptare pasi në rritjen e vrullshme të kompanisë kontribuojnë edhe 7 inxhinierë softueri shqiptarë, ku pesë prej tyre ndodhen në Shqipëri dhe dy në Kosovë.

Si e bëri diferencën kjo ide në një treg kaq kompetitiv si Gjermania?

amberSearch ndryshe nga konkurrentët ka krijuar ndërfaqe të thjeshta dhe me kosto të ulëta, që i ngjasojnë Google. Sistemi inovator i zhvilluar nga Igli së bashku me kolegët e tij gjermanë bën që kompanitë të mos harxhojnë para shtesë për të mbajtur në këmbë një sistem të ndërlikuar teknologjik. Motori i kërkimit integrohet në mënyrë të menjëhershme dhe kërkon mirëmbajtje minimale, ndërsa në të njëjtën kohë me eficencë i ofron bizneseve zgjidhje nga një agjent i Inteligjencës Artificiale që i përshtatet specifikisht modelit të tyre të biznesit. Kjo dëshmoi se rrit produktvitetin me 40% tek bizneset e vogla dhe të mesme.

Më pak kosto, fuqi punëtore më e specializuar

Zgjidhja novatore e amberSearch i jep mundësinë kompanive të integrojnë edhe më lehtë punonjësit e ri, ndërsa databaza e informacionit ndihmon çdokënd të gjejë përgjigje të menjëhershme nga eksperienca e punonjësve të mëparshëm.

Kompania tashmë synon që të bëhet lider në ofrimin e motorëve të kërkimit fuqizuar nga AI në tregun e bizneseve të vogla dhe të mesme, sidomos në sektorë jotradicionalë si prodhimi, ku shpesh kompleksiteti i sistemeve teknologjike dhe kostot e larta kanë penguar depërtimin e teknologjisë që po transformon çdo ditë botën në mënyrën si e njohim.

 

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top