Fëmijët zakonisht e kalojnë kohën mes lojërave dhe fantazisë së tyre, por Susanna Zotaj ka nisur që herët të provojë veten në botën e modës dhe reklamave. Vetëm 9 vjeçe, e lindur dhe rritur në Firenze, ajo po fiton përvojë me disa prej markave të njohura ndërkombëtare.
Kontakti i parë me kamerën erdhi në moshën 8-vjeçare, kur realizoi një photoshooting për Benetton. Kjo eksperiencë u pasua nga një tjetër angazhim i rëndësishëm si imazh për Zara, duke e përfshirë në projekte konkrete në një treg mjaft kërkues.
Megjithatë, synimi i saj nuk mbetet vetëm moda. Susanna dëshiron të bëhet aktore dhe e sheh të ardhmen në ekran. Ajo pëlqen seriale si Stranger Things dhe Wednesday, që i zgjojnë kureshtjen dhe imagjinatën.
Pavarësisht angazhimeve, ajo vazhdon të jetë një fëmijë i zakonshëm, e shoqërueshme dhe me energji pozitive. Shkon mirë me bashkëmoshatarët në çdo projekt dhe i pret me kënaqësi eksperiencat e reja.
Një moment i rëndësishëm për të ishte sfilata e 1 marsit për brand-in Juana Princess, nën drejtimin e stilistes Paola Perdomo, një përvojë që e përjetoi me natyrshmëri në pasarelë.
Në kohën e lirë, Susanna dëgjon muzikë, merret me not dhe lexon serinë Tea Stilton dhe Tea Sisters. Edhe pse jeton në Itali, ajo ruan një lidhje të fortë me Shqipërinë. Verat i kalon në Vlorë dhe viziton shpesh Sarandën e Ksamilin, vende që i pëlqen t’i rikthehet çdo vit.
Në moshën 9-vjeçare, Susanna po hedh hapat e parë në një rrugëtim që kërkon punë dhe përkushtim, ndërsa ëndrrat e saj mbeten të qarta për të ardhmen.
