Shmangia e dhunës, përgjegjësi e të gjithëve

Shkruar nga Albana Muçaj

Video dhe fotot e një vajze të dhunuar rëndë në fytyrë pak ditë më parë qarkulluan me shpejtësi në mediat sociale, prodhuan komente e qëndrime të ndryshme. Vajza e dhunuar nga dy vajza të tjera për motive xhelozie, la një shije të hidhur dhe u dënua nga të gjitha palët. Pati nga ata që mbajtën anë, duke fajësuar herë dhunueset, dhe herë vajzën e dhunuar. Por, fatkeqësisht, dhimbja shkon përtej dëmeve fizike të vetëm një vajze. Ajo tregon plagën që është hapur në shoqërinë tonë, për të cilin të gjithë kemi faj dhe duhet të marrim përgjegjësi.

Fakti ka tejkaluar edhe parametrat e matjes së dhunës deri më tani në shoqërinë tonë nga institucione zyrtare, siç është Instituti i Statistikave. Vrojtimi Kombëtar me bazë popullatën 2018, ka nxjerrë në pah shifra alarmante të dhunës, ku numrin 1 e mban partneri. Nuk flitet haptazi për dhunën e grave ndaj grave.

Sipas vrojtimit, të mbështetur nga UNDP dhe UN Women, “rreth 66% e grave të pyetura kanë përjetuar ndonjëherë dhunë në lidhje dashurie”.

Por çfarë ndodh me dhunën fizike nga jo partnerët?! 3 në 4 raste (me saktë 76%) të rasteve është autor nëna/njerka, 1 në 2, (58,0%) thonë se dhunuesi ka qenë babai/njerku. Gjithashtu, 1 në 3, (35,7%) raportojnë si dhunues mësuesin, dhe 1 në 4, (28,0%) identifikojnë motrën apo vëllain. “Gratë identifikuan një mori dhunuesish të tjerë, por në një masë më të vogël”, thotë raporti.

Nëse raportet e ardhshme do të duhet të konsiderojnë një pyetje specifike të dhunës fizike të grave ndaj grave- jashtë familjes, le t’i kthehemi aktualitetit. Sociologë dhe aktivistë kanë reaguar shpesh rreth mangësive në edukimin e duhur dhe madje ç’edukimin e shoqërisë. Emisione e reality show si Për’Puthen etj, janë kritikuar shumë, por fakt është se ato po ndiqen në mediat sociale, duke krijuar modele për të rinjtë. Aq model (i keq) janë bërë, sa je jashtë mode nëse nuk i njeh. Por, media nuk ndalet këtu. Ai/ajo ftohet në emisione të tjera, ku flasin për jetën, shoqërinë, për sportin, për stilin e jetesës dhe sa mijëra euro i duhet për të përballuar muajin. Imagjinoni ndërkohë një vajzë/djalë në gjimnaz, universitet, familja e të cilit me zor mbërrin në fund të muajit. Përmes një video në Instagram, Blendi Fevziu, duke dënuar aktin e dhunës, vë në dukje degradimin e shoqërisë në këtë drejtim, duke theksuar se faj ka edhe media që u ka dhënë hapësirë.

Akti dënohet edhe nga aktivistja Edlira Cepani, e cila na shpalos gjithashtu anën tjetër të medaljes, të cilën fatmirësisht na ndodh ta shohim më shpesh, në jetën tonë të përditshme. Në përgjigjen e saj pse nuk reagon për rastin, ajo thotë se, “Nuk e bëra, sepse ato nuk janë as vajzat, as gratë që përfaqësojnë vajzat shqiptare. Vajzat e gratë me të cilat punoj unë, në çdo cep të Shqipërisë, janë ato që studiojnë, punojnë, kujdesen e mundohen shumë për veten dhe familjet e tyre. Gratë e vajzat që njoh unë, në çdo cep të Shqipërisë, kanë një jetë shumë më të vështirë se ç’do duhet ta kishin, për shkak të barrëve të rënda që shoqëria paragjykuese u vë mbi supe, por këto padrejtësi i luftojnë me dinjitet! Gratë dhe vajzat që njoh unë, janë krenaria e një kombi që po përpelitet në luftën mes vlerave dhe antivlerave, drejtësisë dhe padrejtësisë dhe nëse ka një kategori që do ia japë rrugëzgjidhjen kësaj gjendje, janë pikërisht ato”.

Ndërkohë, sipas saj, “alarmin ndaj dhunës që është normalizuar në çdo aspekt dhe që është bërë një rrezikshmëri e frikshme së fundmi, e kemi ngritur prej kaq shumë kohësh dhe vazhdojmë të themi që, sa më pak masa të merren (nga të gjithë ne!) aq më keq do bëhet…! Është koha për ta ndaluar dhunën në çdo aspekt, në çdo fushë, duke e parandaluar, dënuar rëndë dhe mos e pranuar si kulturë sjellje, siç kemi bërë deri tani”.

Në fakt, modelet larg dhunës janë shumë, janë kudo, në fshat, qytet, brenda dhe jashtë vendit. Janë të shtrira edhe në kohë. Si gazetare prej 20 vitesh kam arritur të intervistoj e pasqyroj gra sipërmarrëse, që vijojnë edhe sot mbi 30 vite pas hapjes së ekonomisë së tregut, të punojnë për rritje e zhvillim të biznesit të tyre e mjedisit ku biznesi operon. Ka gra që me profesionet e tyre, me thjeshtësinë, mbajnë janë si palca kurrizore, jetike për një shoqëri solide. Dhe çka është më optimiste, ka qindra mijëra të reja që angazhohen për të realizuar projektet e tyre në fushën ku po specializohen, apo për të zhvilluar një sipërmarrje të re. Si drejtuese e Programit Women Startup Competition për Shqipërinë, vetëm 3 vitet e fundit kam njohur rreth 150 vajza shqiptare, disa prej të cilave kanë ardhur me shpenzimet e tyre në Tiranë, nga universitete të ndryshme të Europës, për të prezantuar idetë e tyre të biznesit. Të tjerat “luftojnë” çdo ditë në Shqipëri për të shënuar sukses. Ato kanë nisur të duken nëpër media, por ka nevojë edhe më për shumë hapësirë televizive. Ndërkohë institucionet, duhet seriozisht të mendojnë për ndikimin e mediave dhe mediave sociale në shoqëri dhe si t’i orientojmë ato drejt një përdorimi më të mirë.

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top