Një spital në Barcelonë njoftoi se ka realizuar një transplant pionier të fytyrës, ku për herë të parë në botë dhurimi i fytyrës është bërë nga një person që, para se t’i nënshtrohej një procedure të asistuar për t’i dhënë fund jetës, kishte shprehur vullnetin për ta dhuruar atë.
Operacioni kompleks u krye nga rreth 100 profesionistë dhe përfshiu transplantimin e indeve nga pjesa qendrore e fytyrës, ndërsa akti i dhurimit u cilësua nga mjekët si “një akt pjekurie që të lë pa fjalë”.
Marrësja e transplantit kishte pësuar nekrozë të indeve të fytyrës si pasojë e një infeksioni bakterial të shkaktuar nga pickimi i një insekti. Gjendja e saj i kishte prekur rëndë aftësinë për të folur, për të ngrënë dhe për të parë.
“Tani, kur shikoj veten në pasqyrë, ndiej se po filloj të dukem sërish si vetja ime,” është shprehur ajo.
Për transplantet e fytyrës, dhuruesi dhe marrësi duhet të kenë të njëjtën gjini, të njëjtin grup gjaku dhe madhësi të përafërt të kokës.
Spanja, me rreth 49.4 milionë banorë, është lider botëror në transplantet e organeve prej më shumë se 30 vitesh. Në vitin 2021, ajo u bë vendi i katërt në Bashkimin Evropian që legalizoi eutanazinë.
Gjysma e gjashtë transplanteve të fytyrës të kryera ndonjëherë në Spanjë janë realizuar nga ekipi i spitalit Vall d’Hebron, i cili në vitin 2010 kreu edhe transplantin e parë të plotë të fytyrës në botë.
Spitali nuk bëri publik datën e saktë të operacionit për arsye privatësie, por konfirmoi se ndërhyrja është kryer gjatë vjeshtës së vitit 2025.
Sipas të dhënave zyrtare, vitin e kaluar në Spanjë u kryen rreth 6,300 transplante organesh, ku transplantet e veshkave ishin më të shpeshtat. Ndërkohë, në vitin 2024, 426 persona përfituan nga asistenca për t’i dhënë fund jetës.
