Mbi gjysmë milioni turistë të huaj vizituan zonat e mbrojtura në vend në 3-mujorin e parë të vitit. Të dhënat zyrtare të përpunuara tashmë edhe me muajin mars dhe të publikuara nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit tregojnë për një interes të shtuar për turizmin natyror.
“Të dhënat nga Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, tregojnë se gjatë muajit Mars 2025 zonat e mbrojtura janë vizituar nga 198,923 vizitorë vendas dhe të huaj. Në tre muajt e parë të vitit, zonat e mbrojtura janë vizituar nga 556,792 vendas dhe të huaj, me një rritje prej 6% më shumë se tremujori i parë i vitit 2024. Qarku me numrin më të madh të vizitorëve është Qarku i Korçës, e cila zë gati 33.6% të gjithë totalit të vizitorëve. Rritjen më të madhe e ka pasur Qarku i Gjirokastrës e cila ka një rritje 3 shifrore” thuhet në raportin e Ministrisë.
E parë në kategorinë e asaj që kanë vizituar turistët të dhënat zyrtare tregojnë se Kategoria e Parqeve Natyrore ka 13 zona të cilat janë vizituar nga 63,641 vizitorë, prej tyre 72.4% janë vizitorë vendas.
“Numri më i madh i vizitorëve për këtë kategori është në Parkun Kombëtar të Divjakës-Karavasta, numri i vizitorëve në këtë Park zë 29% të totalit që vizitoi Parqet kombëtare në Mars 2025, dhe e dyta për nga vizitueshmëria këtë muaj është Alpet e Shqipërisë nga pjesa e Shkodrës (23.5%)” thuhet në të dhënat publikuara.
Ndërkohë në kategorinë Monumentet e Natyrës, janë të shpallura 33 zona, por gjatë muajit Mars ka pasur vizitorë vetëm në 24 prej tyre. Këto zona janë vizituar prej 28,163 vizitorë, ku nga këta 87 % janë vizitorë vendas. Vizitorët në numër më të madh janë në Monumentin e Natyrës Sarisalltik të Krujës (23.1% e vizitorëve), e cila ndiqet nga Ujërat Termale të Bënjës (21%).
Në kategorinë e Rezervatet Natyrore të Menaxhuar dhe Parqet Natyrore Monumentet e Natyrës janë të shpërndara 26 zona, por vetëm në 21 prej tyre ka pasur vizitorë për muajin Mars 2025. Numri i vizitorëve për këtë kategori është 31,008, ku 78 % janë vizitorë shqiptarë. Numri më i madh të vizitorëve e ka Qafështama (35%) e ndjekur nga Liqeni i Shkodrës (20%).
Monitor