Muzika shqiptare po shënon një tjetër moment historik në arenën ndërkombëtare. Artisti i njohur Alban Skënderaj ka njoftuar përmes një postimi në Facebook mbajtjen e një koncerti madhor në Eventin Apollo, një nga sallat më ikonike të Londrës dhe botës.

Në mesazhin e tij, Skënderaj shpreh krenarinë për muzikën shqiptare dhe për komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, duke theksuar se ky koncert është rezultat i një përpjekjeje të përbashkët dhe i një mbështetjeje të fortë nga diaspora.“Krenari për muzikën shqiptare dhe komunitetin tonë në UK, që së bashku po realizojmë këtë koncert historik në zemër të Londrës, në një nga sallat më ikonike të Anglisë dhe të botës,” shkruan artisti në Facebook.

Koncerti, që do të mbahet sot në Eventin Apollo, konsiderohet një moment kulmor në karrierën e Alban Skënderajt, i cili prej vitesh është një nga figurat më të dashura dhe më të ndjekura të muzikës shqiptare.

Eventi Apollo, i njohur për historinë e tij të pasur dhe për artistët botërorë që kanë performuar aty, i jep këtij koncerti një peshë simbolike të veçantë. Për komunitetin shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, ky event përfaqëson më shumë sesa një koncert, është një festë e identitetit, e muzikës dhe e bashkimit.

“Shihemi të mërkurën në Eventim Apollo”, përfundon njoftimi i Skënderajt, duke ndezur entuziazmin e fansave dhe duke e kthyer këtë koncert në një nga ngjarjet më të rëndësishme muzikore shqiptare të vitit në Londër.