Operatorët fajësojnë ndryshimet ekstreme të temperaturës për ndërprerjen që la dhjetëra milionë njerëz pa energji
Dritat u rikthyen në shumicën e Spanjës dhe Portugalisë, pasi një ndërprerje e madhe e energjisë elektrike goditi gadishullin Iberik, duke lënë njerëzit të bllokuar në trena dhe ashensorë, ndërsa miliona persona humbën sinjalin e telefonit dhe internetit.
Operatori i rrjetit në Spanjë, REE, njoftoi se deri në mëngjes ishte rikthyer energjia në rreth 90% të territorit. Në Portugali, operatori kombëtar REN tha se rreth 6.2 milionë familje kishin rikthyer rrymën nga 6.5 milionë gjithsej. Edhe në Madrid dhe Lisbonë dritat u ndezën sërish.
Ndërprerja përfshiu thuajse çdo cep të gadishullit, i cili ka një popullsi të përbashkët rreth 60 milionë banorë. Ende nuk ka një shkak të konfirmuar për këtë blackout. Kryeministri i Portugalisë, Luis Montenegro, tha se problemi “me shumë mundësi ka ndodhur në Spanjë”. Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, theksoi se po analizohen të gjitha mundësitë dhe u kërkoi njerëzve të mos spekulojnë për të shmangur përhapjen e dezinformatave.
REN më herët tha se ndërprerja erdhi për shkak të ndryshimeve të mëdha të temperaturës, që shkaktuan probleme në linjat me tension shumë të lartë. Trena, metro, semaforë, bankomate, telefonë dhe internet u ndërprenë në të dy vendet. Njerëzit mbetën në ashensorë, u bllokuan në trena, në trafik apo aeroporte. Qindra persona eci nëpër tunele të errëta metroje me dritën e celularëve, të tjerë kërkonin produkte bazë nëpër supermarkete ku mund të paguhej vetëm me para në dorë.
Rrjetet celulare u ndërprenë, dhe interneti u shkëput kur ndodhi ndërprerja në orën 12:33. Spitalet shtynë operacionet jo urgjente, por përdorën gjeneratorë për pacientët në gjendje të rëndë. Edhe sistemet bankare elektronike funksionuan përkohësisht me rezerva, por shumica e bankomateve ishin jashtë funksioni.
Ngjarja solli kujtime të ndërprerjeve masive të energjisë si ajo në SHBA në 2003. Trenat u ndalën në të gjithë gadishullin, trafiku ajror pati ndërprerje dhe semaforët nuk funksiononin. Qindra njerëz u shpëtuan nga ashensorët. Kryetari i Madridit u kërkoi njerëzve të qëndrojnë në shtëpi që shërbimet e emergjencës të mund të lëviznin lirshëm. Edhe turneu i tenisit në Madrid u pezullua përkohësisht.
Në orën 22:00 të së hënës, 62% e nënstacioneve në Spanjë ishin sërish funksionale dhe ishte rikuperuar rreth 43% e kërkesës për energji. Në Portugali, energjia ishte kthyer në 85 nga 89 nënstacionet.
REE paralajmëroi se mund të duheshin nga 6 deri në 10 orë për rikthimin e plotë të furnizimit me energji. Në rrugët e Madridit, njerëzit brohoritën me gëzim sapo u rikthye rryma.
Sánchez sqaroi se blackout-i nisi në orën 12:33, kur për vetëm pesë sekonda, u zhdukën 15 gigavat energji – sa 60% e gjithë energjisë që po përdorej në atë moment. “Kjo nuk ka ndodhur kurrë më parë,” tha ai. Ekspertët ende po hetojnë se çfarë e shkaktoi këtë humbje të papritur.
Sánchez falënderoi Francën dhe Marokun për ndihmën me energji, dhe tha se do përdorej gaz dhe energji hidroelektrike për të përballuar mungesën.
REN tha se një “fenomen atmosferik i rrallë”, i quajtur “vibrim atmosferik i induktuar”, kishte shkaktuar luhatje anormale në linjat me tension të lartë, duke çuar në “dështim të sinkronizimit mes sistemeve elektrike” në Evropë.
Ndërprerje të tilla janë të rralla në Evropë. Në vitin 2003, një problem në një linjë hidrocentrali mes Italisë dhe Zvicrës shkaktoi blackout për rreth 12 orë, dhe në 2006 një mbingarkesë në rrjetin gjerman ndikoi shumë vende.
Sánchez tha se ishin shtuar patrullat e policisë dhe Guardia Civil për të garantuar sigurinë. Spitalet funksionuan mirë falë përkushtimit të personelit, megjithëse sinjalet telefonike ishin ende të dobëta për shkak të mungesës së rrymës në antena.
Nga 6,000 fluturime në Spanjë të hënën, vetëm 344 u anuluan. Rrugët ishin funksionale, por me disa vonesa për shkak të trafikut.
Trenat ishin më të prekurit: 35,000 pasagjerë mbetën në më shumë se 100 trena, ku u ndihmuan nga punonjësit e hekurudhës dhe ushtria. 11 trena ende po prisnin ndihmë në zona të largëta.
Në qytetet si Madridi, mungesa e semaforëve shkaktoi trafik të rënduar. Gazeta “El País” publikoi pamje të pasagjerëve në metro të errët dhe gazetarët e saj që punonin me drita portative.
Ministria e Shëndetësisë në Spanjë tha se po koordinonte me autoritetet rajonale dhe se spitalet kishin sisteme rezervë funksionale.
Në Portugali, blackout-i preku Lisbonën dhe zona të tjera veriore e jugore. Metroja u ndal, bankomatet dhe pagesat elektronike u ndërprenë.
Tetë rajone të Spanjës shpallën emergjencë të nivelit 3, duke kaluar përgjegjësinë tek qeveria qendrore. Shkollat do të qëndronin të hapura, por pa mësim normal.
Sánchez tha se situata ishte e pabarabartë – disa rajone kishin rikuperuar 90% të rrymës, ndërsa të tjerat më pak se 15%.