Robotët mund të ndihmojnë me rehabilitimin e pacientëve që kanë kaluar goditje në tru. Një projekt i ri i zhvilluar për këtë qëllim, përdor një paisje që përmes kompjuterit ndjek aktivitetin nervor të trurit dhe komunikon me robotët të cilët përmes këtij informacioni ndihmojnë pacientët, ndërsa ata përpiqen të rifitojnë aftësinë për të lëvizur.
Jake MacDonald po shkon në Robotoriumin Kombëtar të Edinburgut në Skoci për të marrë pjesë në një provë klinike. 59 vjeçari ka pësuar një goditje në anën e majtë të trurit.
Ai po i nënshtrohet rehabilitimit për të rifituar aftësinë për të lëvizur, por sot fizioterapisti i tij është i pazakontë. Një projekt i quajtur VITALISE ka programuar robotë të shërbejnë si fizioterapistë për të ndihmuar pacientët.
Emilyann Nault, një nga drejtueset e projektit, i shpjegon pacientit procesin.
Ekipi i projektit ka punuar me 16 pacientë në Austri gjatë fazës së zhvillimit të tij.
Paisja e lidhur me kompjuterin dikton aktivitetin e trurit dhe roboti përgjigjet në kohë reale duke ofruar motivim, dhe duke reaguar.
“E çuditshme, pasi isha mësuar për gjashtë muaj me një person fizioterapist, kështuqë është e vështirë të përshtatesh. Por është më mirë se të mos e kesh mundësinë. Njerëzit janë të izoluar. Dhe unë i kam parë sa të ngarkuar janë fizioterapistët dhe kjo është një ndihmë kyçe për ata që kanë nevojë për fizioterapi”, thotë ai.
Lynne Baillie, profesore e shkencave kompjuterike në Universitetin Heriot-Watt dhe studiuese e lartë në Robotariumin Kombëtar, thotë se një robot nuk mund të zëvendësojë kurrë një fizioterapist.
Por shpresa është që terapia robotike të plotësojë mungesat e personelit njerëzor, si një alternativë më e përballueshme. Ajo shpjegon se si paisja e lidhur me kompjuterin dikton veprimet që do që të bëjë pacienti dhe ia përcjell robotit.
“Dhe ajo që vumë re është se kur pacienti e kupton se është ai që po e kontrollon robotin, kjo i jep atij një ndjenjë kontrolli. Por gjithashtu u tregon atij se roboti po i bën ushtrimet bashkë me të. Dhe kështu ata i bëjnë lëvizjet në të njëjtën kohë”, thotë ajo.
Projekti VITALISE është financuar nga programi Horizons i Bashkimit Evropian në partneritet me Institutin Austriak të Teknologjisë.
VITALISE përdor robotë Nao, të cilët janë të njohur në institucionet akademike në mbarë botën, sepse mund t’i programosh dhe kushtojnë rreth 13,000 dollarë.
Në një mjedis mjekësor, robotët janë të lehtë dhe të fortë dhe më e rëndësishmja janë miqësorë dhe jo të frikshëm.
Lisa Farrell, Menaxhere e Zhvillimit të Biznesit në Robotariumin Kombëtar, thotë se projekti është shumë i rëndësishëm.
“Ne e dimë se sa jetike është që pacientët me goditje në tru të marrin trajtimin që u nevojitet në mënyrë sa më efektive dhe sa më shpejt që të jetë e mundur. E dimë gjithashtu se ka mungesa në personelin mjekësor, prandaj përdorimi i robotëve do të jetë thelbësor për rezultatet më të mira për individët e prekur”, thotë ajo.
Pas seancës së tij të parë në Edinburg, Jake MacDonald kthehet në shtëpi. Ai po rifiton aftësinë për të lëvizur dhe mund të bëhet një nga shumë pacientët që kanë pësuar goditje në tru, që mund të përfitojnë nga terapia robotike.