Dekada e parë e “Ada Herbs”, një kompani e orientuar te prodhimi i produkteve të kujdesit personal dhe kozmetikës, ishte krijimi i themeleve të forta, me një portofol produktesh cilësore.
Kjo fazë duket se tashmë ka kaluar dhe motrat Mikena Çako dhe Ada Kastrati, bashkëthemeluese të kompanisë, në dekadën e dytë shohin si sfidë konsolidimin në tregjet e mëdha, si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Europën apo më gjerë.
Produktet që mbajnë “Made in France” kanë pas tyre dy emra shqiptarë, që vlerësojnë se të jesh sipërmarrës nuk është e thjeshtë në përgjithësi në Shqipëri. Në një industri që dominohet nga gratë, rrugëtimi edhe pse sfidues, ka qenë përmbushës.
Së pari, shkurtimisht si themeluese dhe bashkëthemeluese të “Ada Herbs”, kush janë Ada dhe Mikena në lidhje me formimin profesional dhe shkollimin?
Ne jemi dy themelueset motra të kompanisë. Unë jam Ada, formuluesja e “Ada Herbs”, inxhiniere kimiste dhe formuluese e certifikuar në disa vende të botës referencë e kësaj industrie si Francë, Angli, Amerikë. Mikena është bashkëthemeluese, e diplomuar në Universitetin e Tiranës, për Ekonomik, dega Menaxhim Biznesi, Drejtor Ekzekutiv, madje një formuluese shumë e zonja gjithashtu.
Ju tashmë e keni sprovuar veten për më shumë se një dekadë në treg. Sot, në dekadën e dytë, a është bërë më i lehtë apo më i vështirë rrugëtimi juaj në fushën e kujdesit personal dhe kozmetikës?
Me shumë sinqeritet mund të tregojmë se asnjë ditë nga ato që kanë kaluar dhe këto që presim nuk ka qenë e lehtë. Çdo ditë ka pak “luftë”, por sigurisht dhe kënaqësi të madhe në suksese që nuk kanë munguar. Dekada e dytë e kompanisë na gjen me sfidën e jetës, të depërtojmë në tregun e ëndrrave të mëdha.
Të arrijmë të konsolidojmë praninë në një prej tregjeve më të lakmuar botërisht, Amerikën. Çdo hap po shikohet sërish me kujdesin dhe agresivitetin që i nevojitet një tregu të ri dhe kjo shoqërohet sigurisht me vështirësitë e një fillimi të ri. Jemi të gatshme për çdo sfidë të re, e njohim industrinë tonë shumë mirë tashmë, por vështirësitë qëndrojnë aty dhe janë në çdo sfidë, më të forta dhe të afta se në fillimet tona.
Si lindi produkti i parë dhe cila ishte shtysa që kjo të kthehej në një biznes “të së bukurës”?
Produkti i parë është ai që mbetet më i shituri edhe sot. Prej 12 vitesh, Hair Oil Mask, ose siç njihet në tregun shqiptar Kombinimi Vajor, është një maskë vajore rigjeneruese për flokun. Krijimi përkon me kohën kur Ada ishte studente dhe duke eksperimentuar me përbërjet vajore, ndërthuri pasionin e saj që ishin dhe janë maskat e bukurisë me dëshirën e kahershme që të kishte flokë të shëndetshëm dhe të rigjeneruar.
Vajrat janë mënyrat më rigjeneruese për flokun e dëmtuar dhe të paushqyer, vetitë e tyre forcuese i bëjnë të papërsëritshëm në shëndetin që i japin.
Krijimi i këtij produkti, testimi i tij i vazhdueshëm, te mikeshat dhe klientët, e më pas rezultati shumë i mirë, krijuan sigurinë për t’u thelluar në shkencën e produkteve kozmetike, formulimet, përbërësit, ndikimi dhe veprimtaria e tyre në flokë, lëkurë.
Më mahniste të eksperimentoja me përbërës të ndryshëm produktesh bukurie që blija në farmaci, supermarket apo edhe në qendra estetike. Kështu zbulova dhe ndërtova të ardhmen tonë, me shumë studime të thelluara dhe sigurisht kërkesën e tregut.
Si ka qenë ecuria e portofolit të produkteve që ju keni sjellë nga viti në vit, duke nisur nga ajo çka keni testuar në fillim dhe diversifikimi i mëvonshëm hap pas hapi?
Ka qenë një rrugëtim shumë interesant edhe për vetë ne. Nga produkti i parë 12 vite më parë që është Kombinimi Vajor tashmë jemi të pranishëm në treg me 53 formulime.
Është cilësia dhe rezultati i formulimeve tona që e ka bërë këtë rrugëtim të bukur, përmirësimi i tyre i vazhdueshëm, duke kërkuar të arrijmë një cilësi maksimale jo vetëm në përbërje, por edhe prodhim.
Nuk mjaftonte formula, duhej mbyllur cikli, ndaj vendosëm që prodhimin ta bënim në Francë, vend që na garanton standardin ndërkombëtar të produkteve. Investimi i vazhdueshëm te produktet tona, klientët dhe filozofia e kompanisë na ka mbajtur gjithmonë në rrugën e duhur.
Cili është roli i secilës prej jush në kompani dhe çfarë modeli drejtueseje ndiqni? Jeni drejtuese të ashpra apo tolerante? Si i merrni vendimet e rëndësishme?
Unë jam aktive në mënyrë më të drejtpërdrejtë si formuluese dhe drejtuese krijuese në kërkim/zhvillimin e produkteve, ndërsa Mikena është drejtuesja ekzekutive, çdo detaj i kompanisë kalon në duart e saj, nga departamenti i financës, logjistikës, marketingut dhe shitjes.
Stafi ynë është i ri në moshë, ne krenohemi me energjinë dhe sinergjinë që krijohet. Në biznesin tonë ekziston një frymë shumë pozitive dhe krijuese, ku secili nga ne punon për t’u rritur më shumë profesionalisht dhe personalisht.
Ne të dyja jemi shumë krenare për kompaninë që kemi krijuar, por mbi të gjitha jemi krenare që mund të punojmë me ekipin tonë, të pasionuar dhe punëtor që janë frymëzim edhe për ne.
Vendimmarrja është gjithmonë e përbashkët, i besojmë instinktit të përbashkët që na bashkon gjithmonë në të njëjtën ide. Kemi shumë harmoni në vizionin për kompaninë, duke marrë parasysh që është krijuar prej të dyjave, jemi motra dhe jemi rritur në të njëjtën kulturë pune dhe dëshirash.
Aq sa jemi të ngjashme, jemi edhe të ndryshme, kjo i shërben shumë kompanisë, sepse atë që Mikena sjell në kompani nuk mund ta bëj unë dhe anasjelltas, përmbushim njëra-tjetrën.
Sa e lehtë apo e vështirë është të jesh një sipërmarrëse grua në Shqipëri, cilat janë avantazhet dhe disavantazhet që shihni në këtë kontekst?
Të jesh sipërmarrës si koncept dhe sidomos në Shqipëri nuk është një sport i lehtë, ka vështirësi që shoqërojnë rrugëtimin, edhe nëse je grua apo burrë. Në pozicionin tonë, por besojmë si për të gjithë, vështirësitë më të mëdha i kemi pasur në fillim, kur edhe vetë marka shtronte rrugëtimin për t’u konsoliduar.
Industria jonë drejtohet dhe perceptohet më mirë, nëse konceptohet nga gratë, ndaj dhe rrugëtimi ynë si gra sipërmarrëse në këtë industri ka qenë i kënaqshëm, por nuk kanë munguar sfidat klasike të të qenët sipërmarrës që kalojnë përtej gjinisë.
Si është qëndrimi që ka pasur klienti shqiptar nga viti në vit karshi produkteve tuaja dhe si është ecuria në tregjet e huaja? Cila është qasja që keni vënë re?
Fillimet tona si kompani dhe formuluese shqiptare, e cila prodhonte po në Shqipëri, pak produkte, por me rezultat, na bekoi me klientë mbështetës. Me rritjen në cilësi, investimin shumë më të madh në produkte, fokusin te kërkesat e tregut dhe klientit, u rritëm bashkë me ta.
Në 4 vitet e fundit, me kalimin e prodhimit tonë në Francë, një nga kryeqendrat e produkteve kozmetike, depërtimi në një nga tregjet më të mëdha në botë siç është ai amerikan, na ka bërë të kemi mbështetje më të gjerë dhe inkurajuese nga klientët tanë më besnikë.
Ju operoni në një treg që nis nga emrat e thjeshtë dhe deri tek ata më të njohur. Cila është pika juaj e fortë që ju dallon?
Produkti dhe fokusi i pandërprerë në garantimin e cilësisë dhe standardit, pavarësisht sfidave të tregut. Produktet tona prodhohen në standardin Cosmos Organik, që është certifikimi më i vlerësuar, më i ashpër dhe më strikt në prodhimin e produkteve kozmetike, ku vlen të përmendim se kontrollohet zinxhiri i prodhimit dhe lëndës së parë, që nga tokat dhe vendet ku mbillen përbërës të ndryshëm, nga ku edhe përftohen përbërësit që ndodhen në produktet tona.
Formulimet tona natyrale e organike që janë të drejtuar tërësisht te rezultati.
Ju jeni një markë “Made in France”, pasi aty është prodhimi por lëndën e parë e siguroni kudo nëpër botë dhe Shqipëria zë pak ose aspak vend në këtë zinxhir. Çfarë duhet të ndryshojë që vendi ynë si eksportues i bimëve aromatike dhe mjekësore të bëhet pjesë e këtij zinxhiri?
Produktet tona dhe përbërësit që ne përdorim janë Cosmos Organic të certifikuar, ky është një certifikim që kontrollon jo vetëm produktin përfundimtar të përftuar, por edhe çdo proces të përftimit të tij, nga toka në të cilën kultivohet, mjedisi dhe moti në atë zonë, te procesi i përpunimit etj.
Çdo hallkë është e testuar dhe kontrolluar në mënyrë që të përftohet kjo cilësi në përbërës. Për ne si formuluese, kjo është një nga garancitë e cilësisë dhe arritja e qëllimit në produktin përfundimtar.
Ky lloj standardi në prodhimin e lëndës së parë në Shqipëri ende mungon. Sigurisht që mund të ndryshojë dhe në planet tona si kompani e themeluar në Shqipëri është të ndikojmë në këtë rritje të standardit, duke ndihmuar në zgjerimin e tregut shqiptar të përbërësve kozmetikë.
Cilat janë aspektet fiskale, ligjore, financiare që mund ta nxisnin tregun shqiptar të produkteve të kujdesit dhe ato të kozmetikës, me potencial për t’u rritur?
Do të ndikonte shumë pozitivisht të hapeshin laboratorë të ndryshëm të testimit të produkteve kozmetike përpara daljes në treg apo zhvillimit të tij, nevojë shumë e madhe për ne zhvilluesit e produkteve kozmetike.
Tregu në Shqipëri ende i parregulluar, kontrolli i paktë i tregut ku tregtohen produkte të patestuara prej vitesh tashmë, duhet të ndryshojë, për t’i dhënë një standard tjetër të gjithë produkteve të bukurisë, për të rritur konkurrencën e ndershme dhe të drejtë për të gjithë aktorët.
Cilat janë planet tuaja të zgjerimit apo rritjes si kompani?
Bota nuk është mjaftueshëm, tingëllon si titull filmi, por realisht jemi duke punuar me vizion ndërkombëtar. Nga Shqipëria shpërndajmë produktet tona në të gjithë botën, me një kontratë ekskluzive me një kompani postare. Ne operojmë me sukses si kompani autonome edhe në Amerikë.
Planet dhe vizioni janë që shumë shpejt të jemi të pranishëm edhe në tregun europian. Rritja e planifikuar nuk është e fokusuar vetëm te zgjerimi ynë, por edhe zhvillimi në formula të reja, produkte risi për tregun dhe vetë industrinë, për të cilat punohet prej 4 vitesh.
Në jetën dhe punën tuaj, a keni ndonjë model suksesi që ndiqni dhe ju frymëzon?
Frymëzohemi çdo ditë me detaje të freskëta krijimtarie, bota është e vogël sa një ekran celulari tashmë. Por baza jonë kanë qenë gjithmonë dhe janë prindërit tanë.
Ata na kanë mësuar të punojmë shumë herët, të jemi gjithnjë të fokusuara, të duam dijen dhe ta ndjekim atë gjithë jetën. Por mbi të gjitha, mamaja jonë na ka dhënë shembullin e një gruaje të fortë e të dashur, barazi në familje, shembull që na ka ndjekur dhe na ndjek në jetë.
Këtë mundohemi të përcjellim edhe te stafi ynë.
Modelet tona të suksesit janë njerëzit e qeshur, krijues, të lirë dhe të guximshëm, ata që takojmë gjatë ditëve tona.