generata Z

Ulja e ankthit tek brezi Z: këshilla të dobishme dhe praktike

Në librin e tij më të shitur “The Anxious Generation”, autori dhe profesori i Shkollës së Biznesit në NYU, Jonathan Haidt, analizon ndryshimet shoqërore që kanë çuar në rritjen e niveleve të ankthit dhe depresionit tek Gjenerata Z, kryesisht për shkak të përhapjes së smartphone-ve dhe rrjeteve sociale.

Nga libri ka lindur edhe lëvizja “The Anxious Generation”, një fushatë e shëndetit publik që, sipas faqes së saj zyrtare, ka për qëllim “ndryshimin e politikave, kulturës dhe sjelljes” lidhur me përdorimin e teknologjisë. E udhëhequr nga Haidt, ekipi i saj ndjek legjislacionin që lidhet me përdorimin e telefonave nga fëmijët dhe përgatit dokumente me propozime për politika publike.

Por ndikimi i telefonave dhe rrjeteve sociale nuk kufizohet vetëm tek të rinjtë. “Të gjithë e ndjejmë,” thotë Alexa Arnold, drejtoreshë menaxhuese e lëvizjes dhe njëherësh shefe e kabinetit të Haidt.

Arnold ndan disa këshilla praktike për të ndihmuar në uljen e ankthit:

Largoni telefonin

Së pari, përpiquni të zvogëloni rolin e telefonit në jetën tuaj, sugjeron Arnold.
Këtë mund ta bëni duke fikur njoftimet, duke çaktivizuar funksionin që ju lejon të merrni mesazhe në kompjuter, ose duke e lënë telefonin në një dhomë tjetër për disa orë.

“Sa më gjatë të bëjmë pushime dhe të kemi periudha të gjata pune dhe përqendrimi të thellë,” thotë ajo, “aq më mirë do të funksionojë truri ynë.”

Arnold sugjeron gjithashtu që përdorimi i telefonit të bëhet në “grupe kohe”. Për shembull, në vend që të kontrolloni vazhdimisht aplikacionet e lajmeve gjatë ditës, rezervoni vetëm 20 minuta për t’u informuar.

Për uljen e ankthit përballuni me sfida

Këshilla e dytë e Arnold për uljen e ankthit është të përballeni me sfida, qofshin ato profesionale apo personale.
Sipas saj, sfidat në vendin e punës ndihmojnë në rritjen personale dhe profesionale, veçanërisht kur përfshijnë përpjekje mendore apo fizike. E njëjta gjë vlen edhe për situata sociale, si të nisni bisedë me një të panjohur.

“Bërja e gjërave të vështira ju bën më të sigurt, më krijues dhe më të aftë,” thotë Arnold. “Dhe kjo ndihmon në lehtësimin e ankthit.”

Sipas saj, termi “brezi i ankthshëm” nuk i përket vetëm një grupmoshe të caktuar.
“Na bëhet kjo pyetje kudo ku shkojmë: kush është brezi i ankthshëm?” thotë Arnold.
“E vërteta është se jemi të gjithë.”

cnbc

Postime të ngjashme

Filloni të shkruani termin tuaj të kërkimit më lart dhe shtypni enter për të kërkuar. Shtypni ESC për të anuluar.

Back To Top