Balkan Film Market” (BFM) po vazhdon rrugën e suksesit me edicionin e shtatë të tij që po zhvillohet në Tiranë këtë vit. Profesionistë të sektorit audioviziv nga vendet e Ballkanit dhe e gjithë Evropa janë mbledhur në këtë ngjarje prestigjioze për të ndërtuar lidhje të reja dhe për të nxitur bashkëpunimin në fushën e kinematografisë.
Marketet e filmit kanë bërë një transformim thelbësor në peisazhin kinematografik, duke u bërë pika kryesore e industrisë së filmit në Evropë, Amerikë dhe Azinë. BFM ka fituar vlerë dhe rëndësi në këtë kontekst, duke tërhequr profesionistë të njohur nga e gjithë bota dhe duke kontribuar në pasurimin e sektorit artistik dhe kulturor në çdo vend.
Qëllimi i BFM është të forcojë bashkëpunimin me Europën duke ofruar një platformë optimale për prodhuesit vendorë për të zhvilluar projekte të reja dhe për të gjetur mbështetje. Po ashtu, ky event është një mundësi e shkëlqyeshme për prodhuesit europianë që janë në kërkim të talenteve lokale dhe projekteve kinematografike inovative që mund të pasurojnë kulturën dhe historinë tonë.
Për këtë vit, Agjencia e Industrisë Kreative dhe Bashkia e Tiranës sjellin “Balkan Film Market” në qendër të vëmendjes, duke ofruar një platformë të përshtatshme për profesionistë vendas, kineastë të rinj nga Ballkani, ekspertë nga e gjithë Europa, dhe institucione apo kompani prodhimi të njohura në Evropë. Ngjarja ka filluar më 13 dhjetor dhe do të vijojë deri më 17 dhjetor në ambientet e Piramidës.
Paralelisht me prezantimin e projekteve nga kineastët e rajonit për producentët dhe distributorët e ftuar në BFM, ky aktivitet ofron një platformë shumëdimensionale për të promovuar projekte dhe për të zgjeruar rrjetin e lidhjeve ndërkombëtare. Me mbi 300 të ftuar që janë tërhequr nga projekte ballkanike, regjisorët nga rajoni kanë mundësinë të promovojnë talentin e tyre, duke bërë njohjen me personalitete me emër në botën e kinematografisë, disa prej të cilëve janë nominuar për çmime “Oscar”.